Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi në vitin 2027 Presidenti amerikan Barack Obama ka akuzuar Rusinë se ka shkelur çdo zotim të marrë përsipër në marrëveshjen e Minskut, për të vendosur paqen në lindje të Ukrainës.
“Rusia ka shkelur angazhimet e saj, duke vazhduar të veprojë në lindje të Ukrainës, duke dërguar ushtarë e artilieri të rëndë dhe duke shkatërruar fshatëra të tërë”, ka deklaruar Obama.
Duke folur pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti
Obama ka bërë me dije se administrata e tij ende po shqyrton opsionin e
dërgimit të armëve luftarake në ndihmë të ushtrisë ukrainase.
Edhe pse ka nënvizuar se Ukraina ka të drejtën e saj të mbrohet, ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë “plotësisht dakord” që të inkurajojnë një zgjidhje diplomatike për krizën.
Ndër të tjera Obama ka bërë të ditur se qeveria amerikane do të vazhdojë me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat së fundmi kanë prekur edhe zv/ministrin rus të Mbrojtjes.
Reagimi i presidentit amerikan erdhi pasi kancelarja gjermane Merkel udhëtoi për në Uashington, për të prezantuar planin e paqes në Ukrainë, të cilin javën e kaluar e diskutoi me presidentët Hollande dhe Putin.
Ende nuk dihen detajet e këtij plani, por vetë kancelarja insiston që Shtetet e Bashkuara të mos dërgojnë armë për ushtrinë ukrainase, pasi kjo mund të ndikojë në përshkallëzimin e situatës.
“Jam e bindur se ky konflikt nuk do të zgjidhet me mjete ushtarake. E kam të vështirë ta imagjinoj një situatë, ku pajisjet e përmirësuara për trupat e Ukrainës do t’i lënë aq shumë mbresë presidentit Putin, sa të besojë se do të humbasë ushtarakisht”, tha Merkel para nisjes për në Uashington.
Top Channel