Skandali i bankës “HSBC” në Britani, të pasurit kanë fshehur pasuritë

09/02/2015 00:00

Banka më e madhe britanike “HSBC” ka ndihmuar klientët e pasur të mashtrojnë vendin me shmangien e taksave, duke i sjellë një dëm prej miliona paundësh. Përmes dokumenteve konfidenciale, që ka mundur të shtjerë në dorë, BBC ekspozon në këtë mënyrë një skandal të përmasave të mëdha.

Programi i saj “Panorama” ka kontrolluar me mijëra llogari të degës së “HSBC”-së në Zvicër, informacioni mbi të cilat rrjedh prej një punonjësi në 2007-n. Të dhënat e përftuara dëshmojnë qartë se bankierët kanë ndihmuar klientët e tyre të kamur t’u shpëtojnë taksave, e kanë ofruar madje edhe marrëveshje që t’i ndihmonin këta persona të ishin një hap përpara ligjit.

Vetë “HSBC” e pranoi se disa individë kanë përfituar nga sekreti bankar për të mos deklaruar llogaritë e tyre, por këmbëngul se kjo situatë tanimë ka ndryshuar “rrënjësisht”. Dokumentet e vjedhura 8 vjet më parë nga eksperti i kompjuterave, Herve Falciani, i cili punonte për degën e bankës britanike në Gjenevë, përmbajnë informacion për më shumë se 100.000 klientë nga 200 vende të ndryshme të botës, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Indinë.

Llogaritë “offshore” nuk janë të paligjshme, por shumë njerëz i përdorin ato për të fshehur paratë nga autoritetet fiskale, dhe fshehja e qëllimshme e parave për të shmangur taksat nuk është aspak legjitime.

Pas këtij lajmi, disa vende të botës kanë nisur menjëherë hetime zyrtare, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, Francë, Belgjikë e Argjentinë, banka përballet me hetime penale. Ministri indian i Financave, Arun Jaitley, deklaroi se të gjithë emrat në listë do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme, edhe pse e parapriu situatën me pohimet se disa prej këtyre llogarive mund të jenë kejtësisht të ligjshme.

Në 2013-n, autoritetet franceze dolën në përfundimin se 99.8% e qytetarëve të tyre në listën e personave me llogari bankare jashtë kufijve, me të gjithë gjasat po i shmangnin taksat.

“Metoda e aplikuar për klientët francezë është zbatuar për të gjithë klientët në mbarë botën. Le të themi se banka, jo vetëm ka mbyllur njërin sy e ka pranuar parà të një origjine jo fort të sigurt, por edhe e ka nxitur mashtrimin, duke u rekomanduar klientëve krijimin e kompanive ‘offshore’ çka i lejonte atyre fshehjen e mëtejshme të fondeve. Banka vetë i ka ofruar të tilla shërbime dhe, si vende më të sigurta për themelimin e kompanive të tilla citoheshin Panamaja e ishujt britanikë Virxhin”, tha Fabrice Lhomme, gazetar i “Le Monde”.

Në mesin e emrave të cituar në media për llogari të tilla në Zvicër ka mbretër arabë e yje të Hollivudit, këngëtarë të famshëm si Phil Collins e Tina Turner, sportistë në zë si Fernando Alonso dhe Valentino Rossi, stilisti Valentino, modelja Elle McPherson, e plot të tjerë.

Sipas të përditshmes zvicerane “Tages-Anzeiger”, në të paktën 3 raste banka ka bërë marrëveshje edhe me personalitete të dyshuar publikisht si financues të terrorizmit islamik.

Top Channel