Princi Charles: Myslimanët duhet t’i binden vlerave të Britanisë së Madhe

08/02/2015 00:00

Princi Charles rrezikoi të provokonte një stuhi të re politike e fetare me pohimet se myslimanët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar duhet t’u binden vlerave britanike.

“Radikalizimi i njerëzve në këtë vend duhet të përbëjë shqetësim shumë të madh. Në fakt, shtrirja e fenomenit është alarmues sidomos në Angli, ku i kemi mjaft të shtrenjta vlerat tona. Njerëzit që vijnë këtu, janë lindur këtu, apo shkollohen këtu, duhet t’i binden asaj çfarë ne kemi krijuar”, tha Princi Charles.

Komentet e Princit ishin pjesë e mbrojtjes së fuqishme që ai i bëri pikëpamjeve të krishtera të Britanisë në fillimin e turit 6-ditor në Lindjen e Mesme, i konsideruar një tjetër gur prove në marrjen përsipër të më shumë përgjegjësive ndërkombëtare të Mbretëreshës.

Në shtypin britanik, ky rrugëtim përshkruhet si përgjigje e qartë ndaj kritikëve që pretendojnë se Charles nuk duhet të përfshihet në çështje të ndjeshme politike. Princi, sipas gazetave vendase, pritet t’i thotë në sy Mbretit të ri saudit, Salman bin Abdulaziz al Saud, se duhet ta ndalojë ndëshkimin e rrahjes me kamzhik të dhënë blogerit Raif Badawi për deklaratat e tij, të cilat regjimi i percepton si kritike ndaj Islamit.

Mbrëmjen e së shtunës, Princi kërkoi t’i jepet fund persekutimit të të krishterëve nga ISIS-i dhe të tjera grupe islamike, të cilave iu tha prerazi: “Mos harroni, ne kemi qenë në Lindjen e Mesme përpara jush”.

Ndërhyrjet e tij vijnë në kohën e publikimit të një libri të ri, i cili pretendon se Mbretëresha është tepër e shqetësuar nga planet e të birit për të qenë “një monark aktiv”. Komentet e tij mbi lslamin dhe krishtërimin, të transmetuara nga radio 2 e BBC-së, lënë të kuptohet se Charlesi, pikërisht një gjë të tillë ka ndërmend të bëjë.

Top Channel