Merkel, kategorike: Armët në Ukrainë s’e zgjidhin konfliktin. Kritika nga SHBA

08/02/2015 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur mendimin gjatë së shtunës se dërgimi i armëve në ndihmë të Ukrainës për të luftuar separatistët prorusë nuk do ta zgjidhnin krizën, duke tërhequr qortime të ashpra nga politikanët amerikanë, të cilët akuzojnë Berlinin se po i kthen shpinën një aleati në rrezik.

Shkëmbimet e nxehta gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih vunë sërish në dukje krisjet mes konsensusit transatlantik për mënyrën sesi të përballet Presidenti rus, Vladimir Putin, në lidhje me një konflikt gjithnjë e më të thelluar në lindje të Ukrainës, i cili deri më tani u ka marrë jetën mbi 5000 personave.

Ushtria ukrainase bëri të ditur të shtunën se separatistët prorusë kanë përshkallëzuar bombardimet ndaj forcave qeveritare, dhe se po grumbullojnë trupa për ofensiva të reja ndaj qytetit kyç mes kryqëzimesh të rëndësishme rrugore dhe hekurudhore të Debaltsevit, si dhe ndaj qytetit bregdetar të Mariupolit.

Ofensiva e rebelëve ka shkaktuar një stuhi të fuqishme diplomatike, me Merkel dhe Hollande që kanë udhëtuar drejt Moskës që prej së premtes, në përpjekje për të bindur Putinin të nënshkruajë një marrëveshje paqeje.

Zyrtarët europianë e pranojnë se lideri rus mund të ketë shumë pak dëshirë për të negociuar në këto momente, teksa preferon më shumë të qëndrojë i zmbrapsur për të parë separatistët të zgjerojnë më shumë territoret nën kontrollin e tyre, duke minuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur shtatorin e vitit të kaluar në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Udhëheqësja gjermane theksoi në Mynih, pasi u rikthye nga udhëtimi i Moskës, se ishte e pasigurt nëse një plan paqeje franko-gjerman, i prezantuar Kievit dhe Moskës gjatë kësaj jave, do të arrijë të ketë sukses. Por, ajo refuzoi kategorikisht nocionin se dërgimi i armëve ndaj Kievit, një ide që po merret në konsideratë nga Presidenti amerikan Barack Obama, do të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit.

“E kuptoj shumë mirë debatin, por besoj se më shumë armë në qarkullim nuk do të çojnë në progresin që ka të nevojshëm Ukraina. Realisht e dyshoj këtë”, tha udhëheqësja konservatore gjermane, e cila kryeson përpjekjet e Perëndimit për të zgjidhur krizën në Ukrainë përmes negociatave, e që do të udhëtojë drejt Uashingtonit gjatë ditës së sotme për bisedime me Obamën.

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, duke folur në të njëjtën konferencë, u përpoq të hidhte poshtë diferencimet me Europën, duke thënë se ai dhe Obama kanë rënë dakord që asnjë përpjekje nuk duhet të kursehet për të zgjidhur atë konflikt në mënyrë paqësore. Por, ai bëri të qartë se Uashingtoni është i gatshëm të furnizojë Ukrainën me mjete për vetëmbrojtje, duke thënë se “shpesh herë kemi parë Presidentin Putin të premtojë paqen, por ka dërguar tanke, trupa dhe armatime”.

Top Channel