Kukësi u mund 2-1 në Laç nga skuadra e Cungut, në një ndeshje të luftuar deri në minutën e fundit dhe e tensionuar në fillimin e pjesës së dytë për shkak të dhunimit të Smjalit nga tifozët e Laçit.
“Rasti i Smajlit nuk duhet të harrohet. Për mua ndeshja që aty ka mbaruar, aty ne u dorëzuam”, tha Shaqiri, trajner i Kukësit.
Edhe pse kaluan të parët në avantazh me të përhershmin Pejic, kuksianët nuk arritën ta administronin këtë rezultat, pasi Agim Meto shënoi nga 2 gola për laçianët, të cilët ruajnë qetësisht vendin e tyre në mesin e klasifikimit.
Hapin fals të verilindorëve e shfrytëzoi Tirana, e cila edhe pse me shumë vështirësi arriti të dalë si kryesues i Superligës nga “Loro Boriçi” pas golit të Bakajt në minutat shtesë të takimit që i dha fitoren minimale 1-0 ndaj Vllaznisë.
1-0 fitoi edhe Flamurtari ndaj Apolonisë, në fushën tepër të rënduar të qytetit të Vlorës. Telushi i dha 3 pikë skuadrës vlonjate pasi shndërroi në gol 11-metërshin e fituar në pjesën e parë nga Buval.
Surpriza e javës së 21-të ishte Elbasani, i cili mori fitoren e parë në “Elbasan Arena”, posi mposhti 1-0 Teutën falë golit të Lamçes në pjesën e dytë.
Top Channel