Kritikat e senatorëve, Kerry: Nuk ka hendek me Europën

08/02/2015 00:00

Kritikat e ashpra të disa senatorëve amerikanë ndaj Gjermanisë dhe vendeve të tjera kundërshtare të dërgimit të armëve në Ukrainë, i lanë vend spekulimeve për një krisje mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës.

Por shefi i diplomacisë amerikane e hodhi poshtë një skenar të tillë, e u
përpoq të bindte opinionin se asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet
transatlantike.

“Lejomëni t’i siguroj të gjithë se nuk ka asnjë hendek, asnjë çarje. Unë thjesht dëgjoj njerëz që po përpiqen vetë ta krijojnë një ndasi të tille. Ne jemi të bashkuar, po punojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe të gjithë jemi dakord se kjo sfidë nuk do të marrë fund përmes forcës ushtarake. Jemi të bashkuar në diplomacinë tonë”, tha John Kerry, sekretar shteti i SHBA-ve.

Ndërkohë, kryediplomati gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi homologun rus, Sergei Lavrov, për komentet e bëra gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku tha se nuk kishte kontribuar sa duhet në gjetjen e një zgjidhje të krizës ukrainase.

“Për ne europianët, ky konflikt vazhdon të tregojë se siguria e përhershme mund të arrihet vetëm duke qenë të bashkuar dhe jo duke iu kundërvënë Rusisë, megjithatë pranimi nuk mund të jetë i njëanshëm. Moska duhet ta dijë se për Rusinë ka vetëm një të ardhme të mirë, e ajo është të jetë e bashkuar me Europën dhe jo kundër Europës. E kam thënë shumë qartë vitin e kaluar, se është edhe detyrë e Moskës të përcaktojë interesat e përbashkëta në këtë mes”, tha Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Fjalimi i Lavrovit në Mynih ishte fshikullues për Perëndimin, me akuza të hapura ndaj Europës dhe Shteteve të Bashkuara se janë duke mbyllur njërin sy përpara nacionalistëve në Ukrainë, të prirur – sipas tij – drejt një spastrimi etnik.

Ministri i Jashtëm rus shtoi se blloku perëndimor po tenton të pompojë armë vdekjeprurëse në këtë vend. Replika e Kerryt në panelin e diskutuesve në konferencë ishte se, Moska është duke u përpjekur të ndryshojë relievin e sigurisë në Europën Lindore e Qendrore dhe zonat e influencës.

Top Channel