Mustafa Nano – Në kacafytjen mes institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Presidencës e Kryeministrisë, lidhur me emërimin e ambasadorit tonë të ri në Vatikan, është shtuar dhe një yçkël tjetër.
Është kisha katolike që nuk është dakord këtë herë. Presidenca ka dalë kundër procedurës së zgjedhjes, ndërsa kisha katolike ka dalë kundër emrit të propozuar. Ngaqë është mysliman!!! Ka qenë George Frendo, një prift që ushtron funksionin e ipeshkvit ndihmës në dioqezën Tiranë – Durrës, në të njëjtën kohë atë të sekretarit të përgjithshëm të konferencës ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare, që është shprehur në emër të kishës. Zoti Frendo thotë në deklaratën e vet se, gjithnjë në emër të kishës, ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Republikës mbi objeksionet e tyre, e nuk është çudi që ky i fundit, përveç pretendimeve mbi procedurën, të jetë motivuar edhe prej këtij shqetësimi të katolikëve, ndonëse një gjë të tillë nuk e ka thënë e, me shumë gjasë, nuk do ta thoshte edhe sikur të ishte e vërtetë.
Ka disa gjëra që nuk shkojnë në këtë reagim të kishës katolike. Së pari, thuhet se Visar Zhiti është mysliman. Visar Zhiti mund të jetë edhe mysliman, por puna është se ai nuk dihet që ta ketë thënë këtë gjë ndonjëherë. Ka bërë shkrime, libra, poezi, intervista, e në asnjë rast nuk e ka bërë të qartë identitetin e vet fetar. Madje, për ata që kanë qejf që një identitet të tillë t’ua qepin të gjithë njerëzve (zoti Frendo duket se është një nga këta), Visari mund të ngatërrohet fare lehtë me një njeri të orientuar nga Krishterimi. Unë personalisht, as këtë nuk e di, por duke qenë se Visari që njohim është i bërë njësh me kulturën e qytetërimin perëndimor, e duke qenë se ky qytetërim lidhet në një masë të caktuar me Krishterimin, lidhja e tij me këtë të fundit është një operacion më i kollajtë deduksioni e spekulimi. Prandaj, zoti Frendo do të kish bërë mirë të mos e kish shtënë në punë këtë logjikë, me të cilën mund t’ua vërë që të gjithëve një etiketë fetare. Jo se kjo domosdoshmërish do t’i prishte punë ndokujt, por ja që ka njerëz, zoti Frendo sidozot, që i përdorin etiketime të tilla si kriter skualifikimi apo promovimi. Dhe e bukura është se nuk e çojnë nëpër mendje që tradita fetare e dikujt nuk ka pse të lidhet vetvetiu me identitetin fetar të tij, nuk e çojnë në mendje se në këtë botë ka dhe jobesimtarë. Sipas tij, edhe unë, që emrin e kam Mustafa, jam mysliman. Por ja që kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk jam i tillë. Nuk jam as i krishterë, gjithashtu. Jam jo fetar. E mendja ma thotë se edhe Visar Zhiti është te kjo “kategori”.
Sa më sipër, i thashë sa për një saktësim, e jo sepse kanë rëndësi në diskutimin që ka lindur. Të paktën, nuk do të duhej të kishin rëndësi. Është e vërtetë që në ndërtimin e institucioneve shqiptare, qysh prej themelimit të shtetit tonë, ka pasur një kujdes për të marrë në konsideratë ndjeshmëritë e peshën e bashkësive të ndryshme fetare dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë ka qenë edhe një ekuilibër i pranisë së njerëzve me fe të ndryshme brenda institucioneve apo në krye të tyre. Por kur kjo nuk ka ndodhur, nuk është se ndokush e ka bërë për të madhe. Sot, fjala vjen, ne kemi një President e Kryetar Kuvendi, që janë të traditës bektashiane (vini re: janë të traditës bektashiane, gjë që s’do të thotë automatikisht se janë bektashianë), e një Kryeministër, që është pagëzuar qysh në lindje katolik. Siç shihet, “nuk janë përfillur” sunitët e të krishterët ortodoksë, që janë dy bashkësitë më të mëdha fetare në Shqipëri. Përsëris: askujt nuk i ka shkuar mendja të ankohet për këtë gjë. E dini pse, i dashur Frendo? Sepse në Shqipëri kështu funksionon. I respektojmë fetë e njëri-tjetrit, por nuk jetojmë me paranojën e ndonjë “prapësie”. Ja, ne nuk kemi fare ide, për shembull, se sa për qind e diplomatëve janë katolikë, sa janë myslimanë e sa janë ortodoksë. Nuk kemi ide, ngaqë veç për këtë punë nuk na shkon mendja. Por edhe sikur të donim të dinim ndonjë gjë, nuk do të mundeshim, sepse emrat që kemi e tradita së cilës i përkasim, siç thashë, nuk thonë asgjë mbi identitetin fetar të shqiptarëve të sotëm.
Është e vërtetë që ambasadorët tanë në Vatikan janë zgjedhur rëndom mes njerëzve që i përkasin një tradite katolike dhe nuk ka pasur ndonjë gjë të keqe në këtë mes. Madje, dhe propozimi i parë që u bë para ca muajsh ka qenë emri i Ardian Ndrecës, që i përket kësaj tradite. Por duhet thënë se nuk ka asnjë arsye që respektimi i kësaj tradite të emërimit të katolikëve si ambasador në Vatikan të na shndërrohet në një makth. Në Vatikan do t’i shërbehet në çdo rrethanë shtetit shqiptar, i cili është qartësisht laik (po jo laik, siç e kupton zoti Frendo kur thotë se “për të respektuar laicitetin e shtetit, e për faktin që kemi një përqindje katolikësh në këtë vend, është logjike që ambasador në Vatikan të caktohet një katolik”!!!), e në këtë kuptim nuk ka vend për asnjë animozitet. Duan të caktojnë ambasador një katolik? Ok. Duan të caktojnë një laik? Ok sërish. Ah, do të duhej ta shihnim si absurde situatën, në të cilën do të na propozonin të çonim në Vatikan një militant fetar jo katolik, por nuk është ky rasti. E as ka për të qenë ndonjëherë ky rast. Prandaj, ndërhyrja e zotit Frendo nuk duket e gjetur. Po kështu, nuk duket i gjetur edhe propozimi që Kryeministri të konsultohet me ipeshkvijtë para se të caktojë emrin e kandidatit për ambasador në Vatikan. Tani, Kryeministri edhe mund ta bëjë këtë konsultim (është punë e tij se me kë konsultohet), por mund ta bëjë, sepse e sheh ai të arsyeshme, e jo sepse ia kërkojnë ipeshkvijtë. Nuk do të shkonte kjo punë.
Të gjithë ata që kanë ndjeshmëri të tilla, si kjo e zotit Frendo, do të bënin mirë të mendoheshin para se këto ndjeshmëri t’i bënin publike. Zërat që kërkojnë përfaqësim fetar, në respekt të përqindjeve që zënë fetë në numrin e popullsisë, nëpër institucione apo në nivele të ndryshme të shtetit shqiptar, janë tepër anakronikë. Myslimanët e të krishterët në Shqipëri kanë të drejtë të kërkojnë të respektohen, por nuk kanë asnjë të drejtë që këtë respekt ta kërkojnë të shprehet edhe në këto forma. Nuk kanë të drejtë, pasi ky problem nuk ekziston. Administrata e shtetit shqiptar është e të gjithëve dhe askush nuk i ka hyrë punës që ta verifikojë këtë fakt. Është e të gjithëve, dhe pikë! Edhe diplomacia shqiptare është e të gjithëve. Do të ishte e të gjithëve edhe sikur të gjithë diplomatët, për një rastësi, të ishin të njërës traditë fetare. Do të ishte e të gjithëve, ngaqë askush nuk kish për ta vënë re që do të ishte kështu, ngaqë askujt nuk i ka shkuar mendja të bëjë verifikime të tilla. E prandaj, kjo e zotit Frendo është një sjellje bisbiqe e sektare që as na lipset sot (e askurrë), e as i ka hije traditës sonë të marrëdhënieve mes feve. Ne nuk jemi mësuar që të kërkojmë qimen në vezë në çështje të tilla. Prandaj, jemi gjallë si komb. Të ishim sjellë ndryshe, do të na kish marrë lumi me kohë.
Top Channel