Përmbytjet dhe përse fajin e ka prapë Saliu!

07/02/2015 00:00

ANDREA STEFANI – Berishistët po përpiqen të grumbullojnë kapital politik duke shfrytëzuar përmbytjet dhe pasojat e tyre.

Por një analizë përtej së sotmes, na tregon se pasojat e gjithë këtij kiameti reshjesh, lidhen më shumë me qeverisjet rrumpallë të Sali Berishës sesa me një vit e gjysmë qeverisje të Edi Ramës. Përmbytjet nuk janë pasojë e asaj që nuk është bërë sot apo gjatë një viti, por e kaosit dhe keqqeverisjes së mbi dy dekadave. Dhe në krye të punëve të qeverisë nja 14 vjet ka qenë Sali Berisha. Natyrisht, berishistët mund të llogarisin edhe 8 vjet të qeverisjeve të dala nga lidershipi i Fatos Nanos. Kuptohet nëse kjo i lehtëson pak dhe u jep mundësi të pretendojnë se jo të gjithë fajet i ka Saliu!
 

***

Në këtë një vit e gjysmë qeverisje, qeveria “Rama” duhet të kishte bërë shumë më tepër, për të parandaluar përmbytjet dhe dëmet që po shkaktojnë ato në disa zona të vendit. Duke mos e shndërruar parandalimin në një nga përparësitë e saj, tani qeverisë do t’i duhet të paguajë më shumë, edhe financiarisht, por edhe politikisht. Ndërkaq do t’i duhet që, ndryshe nga qeveritë e mëparshme që sa janë larguar ujërat kanë harruar edhe dëmshpërblimet e të përmbyturve, jo vetëm të kryejë dëmshpërblimet një më një, por edhe të hartojë, dhe mbi të gjitha të nisë të zbatojë, një plan strategjik, në mënyrë që Shqipëria të dalë nga kurthi kronik i përmbytjeve thuajse të përvitshme.  Ndërkaq, ndërsa e kritikojmë duhet pranuar se kjo qeveri, është përballur me sfida të shumta të akumuluara jo vetëm në 8 vitet e fundit të qeverisë së Sali Berishës, por edhe të 23 viteve të një modeli shteti pa shtet, pionieri i të cilit ka qenë po “burri i madh i shtetit”, Berisha.

 

***

Duhet të mos kesh mend në kokë të mos kuptosh se një vit e gjysmë është shumë pak për të ezauruar tërë pasojat e një keqqeverisjeje 23-vjeçare. Megjithatë, mbetet e drejtë të kritikohet qeveria Rama që duhet të kishte punuar më me përkushtim në këtë rrafsh, sepse janë në lojë gjëra të shenjta si prona dhe deri jeta e njerëzve. Të mos kesh empati për to, do të thotë të të mungojë esenca e domosdoshme për një qeverisje normale, të të mungojë humanizmi. Qeveria “Rama” duhet të punojë në mënyrë që të na e kursejë edhe shoë-un hipokrit dhe banal të vajtjes me çizme “te populli” për t’u bashkëlagur nja dy orë me “popullin” dhe “për t’ia qarë hallet” pikërisht se nuk ia ke qarë në kohën e duhur. Do të preferonim më mirë që kur binin shira “të paparë prej vitesh” Kryeministri dhe ministrat të ishin në punët e tyre, në Tiranë, Bruksel a Uashington pa pasur nevojë të rrëfejnë “solidaritet” çizmesh prej llastiku që nuk i vlen askujt, por është shprehje e një populizmi hipokrit dhe fajtor, që kërkon të fshehë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë pas ngushëllimeve false.

 

***

E megjithatë përse këmbëngulim se fajin e ka, edhe tani që ka kaluar në opozitë, përsëri Saliu? Sepse keqqeverisjet i shtrijnë, jo rrallë, pasojat e tyre negative disa vite më pas. Prandaj ndërsa formulojmë këto kritika për qeverinë “Rama” vetëm për një vit e gjysmë qeverisje, ç’duhet të themi për 8 vjet qeverisje të Sali Berishës? Sepse në ato 8 vjet, zona të ndryshme të vendit u përmbytën nja 6 herë dhe megjithatë, qeveria nuk e shndërroi luftën për parandalimin e përmbytjeve në një prioritet. Për 8 vjet rresht qeveria “Berisha” jo vetëm nuk mori masat e duhura parandaluese, por nuk shleu në masën e duhur as dëmet e shkaktuara nga përmbytjet! Kjo është të jesh dyfish herë 8 fajtor ndaj familjeve të përmbytura, dyfish i papërgjegjshëm herë 8, të jesh 8 X 2 cinik dhe i pandjeshëm për vuajtjet e qytetarëve që në slogane fushatash ju thua me hipokrizi: Ju jeni të parët!

 

***

Sali Berisha dhe fanatikët e tij, që qeverisnin deri dje bashkë me të, duhet ta ndienin tragjedinë që po ndodh si një disfatë të tyren dhe jo si një oportunitet për të përfituar politikisht. Ka vetëm një vit e gjysmë që janë larguar nga qeverisja dhe vendi përmbytet, sepse nuk kanë bërë asgjë në 8 vjet që kjo të mos ndodhë. Të veprosh si po veprojnë berishistët, është saktësisht të tentosh të rikthehesh në pushtet, duke shfrytëzuar pasojat e keqqeverisjes tënde! Ky është kulmi i pandershmërisë në politikë!

 

***

Nuk e ka bërë vetë, por Saliu ia ka bërë të vështirë parandalimin e përmbytjeve edhe qeverisë pasardhëse me anë të gropës së thellë që ka gërmuar në buxhetin publik. Kur në vitin 2005 erdhi në pushet borxhi qe vetëm rreth 40 për qind e prodhimit të brendshëm (PBB). Kur u largua e la 70 për qind të PBB. Përse? Sepse për Berishën më e shenjtë se ripërtëritja e rrjetit të kanalizimeve, pritave, hidrovoreve e deri edhe digave që parandalojnë vërshimet, ishte kryerja e mega-investimeve aventuroze dhe të korruptuara si ai rrugës Durrës-Kukës që i falnin namin e “patriotit” dhe ca si shanse të korruptonte qëndrimet e diplomacisë amerikane ndaj pushtetit të tij autokratik dhe të korruptuar, paçka se rrënonte buxhetin e Atdheut! Preferoi t’i jepte, sipas një akuze të prokurorisë shqiptare, korruptivisht mbi 200 milionë USD një kompanie amerikane sesa t’i investonte këto para në diga, prita e kanale për të shpëtuar gjënë e gjallë e pronën e bashkatdhetarëve. Dhe përveçse nuk bëri vetë asnjë investim parandalues kundër përmbytjeve, i la qeverisë pasardhëse një gropë një 1 miliard USD borxhe të pashlyera duke ia kufizuar shumë mundësinë e një veprimi më të shpejtë parandalues të përmbytjeve!

 

***

Një qeverisje normale 8-vjeçare duhet të kishte lënë pas investime që do t’i bënin përmbytjet të pamundura edhe sikur qeveria pasardhëse të mos bënte asgjë në këtë rrafsh. Por e keqja që ka mbjellë Berisha në shtet nuk lidhet vetëm me 8 vjet, por me gjithë këto 25 vjet tranzicion. I karakterizuar nga gjakimi i pashterur për pushtet, kombinuar me një sens të pakët për punët e shtetit, Berisha u bë pionieri i një shteti pa shtet, i një rrumpalle me pasoja edhe në përmbytjet e sotme. Është Saliu dhe qeverisjet e tij që kanë toleruar qethjen e pyjeve, gërryerjen e pa parë të shtretërve të lumenjve që sot ndikojnë për keq në fryrjen  dhe vërshimin e ujërave. Është Saliu që ka toleruar, për qëllime përfitimi politik pushteti, ndërtime pa leje shtëpish në zona me rrezik përmbytjeje. Është Saliu, qeverisjet e tij rrumpallë, që kanë toleruar degradimin apo braktisjen e rrjetit kullues e mbrojtës. Sikur gjithë opinioni publik të bashkohej duke krijuar një inkuizicion që ndalonte shqiptimin e kësaj të vërtete, që berishistët tentojnë ta paraqesin si groteske, do preferoja të bëj atë që bëri edhe Galileu kur i ndaluan të pohonte se Globi rrotullohet. Pra të them: E megjithatë, fajin e ka Saliu!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA