SHBA, doktrina e re për Sigurinë Kombëtare: Rusët, terroristët dhe hackerat, rreziqe

06/02/2015 00:00

Ato çfarë e shqetësojnë më së shumti ekipin e sigurisë kombëtare të Presidentit Barack Obama janë hedhur tashmë në dokumentin e ri të Strategjisë për Sigurinë Kombëtare të administratës demokrate, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë gjatë së premtes.

Në fakt, nuk është se ka ndonjë shpallje të re të ndonjë ndryshimi rrënjësor të politikave në raportin prej 29-faqesh. Terroristët, agresioni rus në lindje të Ukrainës dhe hackerat, janë të gjithë të cilësuar si kërcënime në strategjinë e re të Presidentit, gjëra që do të detajohen më tej në fjalimin që do të mbajë këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice, në orët në vijim të së premtes.

Dokumenti është cilësuar më shumë si një dritare drejt doktrinës së kujdesshme dhe me shumë ngjyresa të politikës së jashtme të Obamës, që synon të shmangë ndonjë ngatërresë të mbrapshtë me të huajt, e që favorizon një qasje më shumëkombëshe ndaj rreziqeve globale.

“Ekstremizmi i dhunshëm dhe kërcënimet terroriste në zhvillim e sipër shfaqin një rrezik të vazhdueshëm për sulme ndaj Amerikës dhe aleatëve tanë”, shkruan Obama në parathënien e raportit. “Përshkallëzimi i sfidave ndaj sigurisë kibernetike, agresionit nga Rusia, impaktet gjithnjë e më të shpeshta të ndryshimeve klimatike dhe përhapja e sëmundjeve infektive, janë të gjitha kontribuese në rritjen e shqetësimit dhe ankthit për sigurinë globale. Ne duhet të jemi tepër vigjilentë ndaj këtyre, por edhe sfidave të tjera”, shton Presidenti Obama.

Por, në kujtesë të stilit të tij të diskutueshëm të vendimmarrjes, Presidenti paralajmëron se Shtetet e Bashkuara duhet “të bëjnë zgjedhje të vështira mes shumë prioriteteve konkurruese”.

“Duhet t’u rezistojmë gjithmonë tejkalimit të kufijve, që vjen si pasojë e vendimeve që marrim mbi bazën e frikës. Mbi të gjitha, duhet të pranojmë se një strategji e zgjuar e sigurisë kombëtare nuk duhet të mbështetet vetëm mbi fuqinë ushtarake”, thekson Obama.

Dokumenti përmend vazhdimisht ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, si një sfidë kyçe e politikës së jashtme për administratën amerikane. E ndërsa Shtëpia e Bardhë po merr në konsideratë dërgimin e armëve ushtarake mbrojtëse në Ukrainë, për ta ndihmuar në betejën e saj kundër separatistëve prorusë, strategjia për sigurinë kombëtare lë të nënkuptohet për një asistencë të re për “partnerë”, siç është edhe qeveria e Kievit.

“Ne do ta pengojmë agresionin rus, si dhe do të mbetemi vigjilentë ndaj aftësive strategjike të Moskës, por njëkohësisht do të ndihmojmë aleatët tanë dhe partnerët t’i rezistojnë shtrëngimit rus në periudhë afatgjatë, nëse do të jetë e nevojshme”, paralajmëron dokumenti strategjik. “Në të njëjtën kohë, ne do të mbajmë gjithnjë hapur dyert për një bashkëpunim edhe më të madh me Rusinë, në fusha të interesit të përbashkët, nëse ajo do të zgjedhë rrugë të ndryshme”.

Ajo që është vërejtur është një ndryshim i dallueshëm i tonit nga administrata Obama, kur vjen puna te Shteti Islamik, organizata terroriste e përshkruar nga Presidenti si “sipërmarrje e përbashkët” gjatë një interviste për “New Yorker” vitin e kaluar.

Në dokumentin strategjik, ISIS-it i referohet si një prej “grupeve në rritje të fokusuara rajonalisht por edhe të lidhura globalisht, shumica e të cilave me origjinë nga Al Kaeda, të cilat mund të përbëjnë një kërcënim ndaj kombit amerikan”.

Pas sulmit të dyshuar të hackerave koreano-veriorë ndaj “Sony Pictures” për shkak të filmit “The Intervieë”, administrata Obama angazhohet gjithashtu se do të përfshijë edhe luftën ndaj kërcënimeve kibernetike në dokumentin strategjik.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk ka asnjë dyshim, kur bëhet fjalë për besimin e plotë të saj se kërcënimet më të mëdha të hackerave në botë e kanë origjinën: jo nga Korea e Veriut, por nga Kina.

“Do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të mbrojtur bizneset tona dhe për të mbrojtur rrjetin tonë nga sulmet kibernetike, nuk do të lejojmë të na vidhen sekretet tregtare për përfitime komerciale, qoftë nga aktorë privatë apo edhe nga qeveria kineze”, thekson raporti për sigurinë kombëtare.

Edhe pse një raport i përvitshëm strategjik për sigurinë kombëtare ndaj Kongresit është i mandatuar me ligj, kjo është hera e parë që një raport i tillë bëhet nga Shtëpia e Bardhë që prej vitit 2010. Edhe ish-Presidenti George W. Bush refuzoi gjithashtu të jepte raporte të përvitshme strategjike.

Top Channel