Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në Tetovë ka nxjerrë në rrugë edhe një
herë banorët e këtij qyteti. Qindra tetovarë dolën këtë të premte në
një protestë që u organizua në sheshin e qytetit për të përsëritur
kërkesën për mbylljen e një fabrike për prodhimin e hekurit në periferi
të qytetit, që nuk plotëson standardet ekologjike dhe njihet si ndotësi
më i madh i Tetovës.

Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria masa urgjente për tejkalimin e situatës së rëndë si pasojë e ajrit të ndotur.

“Prej këtu i bëjmë thirrje Kryeministrit Gruevski që të mos tallet me fatin e qytetarëve të Pollogut. Ftojmë Qeverinë e Maqedonisë që të detyrojë ndotësit të ndalin helmimin e ajrit tonë. Çdo ditë e re sjell helmime të reja. Nuk bëhet pazar me jetët tona. Ndaleni ndotjen se ne nuk mund ta ndalin frymën!”, deklaroi Arianit Xhaferri, organizator i protestës.

Revoltën e tyre qytetarët e kanë shprehur edhe me parrullat që mbanin në duar, përmes të cilave kanë akuzuar pushtetin për gjenocid ekologjik në Tetovë.

Protestuesit kanë ironizuar me politikanët, duke mbajtur në fytyrë maska me portretet e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, të cilët nuk po ndërmarrin asgjë për të përmirësuar gjendjen e rëndë.

“Ndoshta ndërgjegjja dhe vetëdija nuk ishte gjithaq e nivelit para se kompetentët, mjekët dhe gjithë ata që i njohin fare mirë pasojat nga ky helmim masiv të na dëshmojnë profesionalisht dhe të na bindin me argumente se vërtet gjendja është alarmante”, thotë Abdylmenaf Bexheti, profesor.

Tetova llogaritet ndër qytetet më të ndotura në botë, ku prania e grimcave të dëmshme në ajër PM10 është shumë herë më e lartë se norma maksimale e lejuar.

Top Channel