Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi në vitin 2027 Presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel prezantuan së bashku një plan të ri paqeje për Ukrainën ditën e enjte.
Shefi i Elizese i bëri të njohur zyrtarëve ukrainas planin e kompromisit, përpara se ata të takohen ditën e sotmë me Vladimir Putin në Moskë.
Udhëtimi i kancelares gjermane dhe e presidentit francez në Moskë vjen në mesin e një përshkallëzimi të ri të situatës në rajonet lindore, ku përplasjet e armatosura mes separatistëve dhe forcave të Kievit, këto ditë, janë intensifikuar ndjeshëm.
“Ukraina është në luftë. Armë të rënda po përdoren në atë vend e civilë po vriten përditë. Propozimi i ri i paqes bazohet në integritetin territorial të Ukrainës dhe mendoj se mund të jetë i pranueshëm nga të gjithë”, tha Hollande.
Ditën e enjte Kievin e vizitoi edhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të armëve për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër rebelëve pro-rusë. Megjithatë, Kerry nuk është i përfshirë në iniciativën e franko-gjermane, edhe pse ai e mbështet atë. Moska tha se shpresonte se bisedimet me Merkelin dhe Hollande do të ishin frytdhënëse.
“Reuters”, duke cituar burime të qeverisë gjermane, shkruan se problemi kyç për fillimin e bisedimeve është vija e tanishme e frontit, e cila nuk përputhet me atë që është rënë dakord në bisedimet e Minskut, vitin e kaluar.
Për të filluar bisedime të reja, Kievi duhet të pranojë pozicionin e tanishëm të separatistëve, të cilat tashmë kontrollojnë me kilometra katrorë më shumë territore sesa kur u ra dakord në Minsk. Qëllimi përfundimtar i procesit të paqes është rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës.
Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se Kievi nuk do të marrë parasysh asnjë plan paqeje që hedh dyshime mbi integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e vendit.
Top Channel