Tajvan, 31 të vdekur nga rrëzimi i avionit, kërkime për 12 të humburit

05/02/2015 00:00

Ekipet e shpëtimit në Tajvan po vazhdojnë kërkimet intensive për gjetjen e 12 personave të humbur të avionit të rrëzuar një ditë më parë në lumë.

Deri tani 31 pasagjerë janë konfirmuar të vdekur, pasi avioni i i “TransAsia” preku një urë e u rrëzua në lumin Keelung, pranë kryeqyteti tajvanez të mërkurën në mëngjes.

Shumica e pasagjerëve ishin turistë kinezë dhe Kina ka njoftuar se do të marrë pjesë në hetimin e ngjarjes. Bilanci i viktimave ka gjasa të rritet teksa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në lum për pasagjerët e humbur.

“Këtë mëngjes kemi rreth 60 polumbarë që janë zhytur nën ujë për të kryer kërkimet, si dhe 20 varka që po patrullojnë lumin”, deklaroi një zyrtar lokal.

Më herët ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin nga rrënojat e avionit 15 të mbijetuar, ndërsa një vinç tërhoqi trupin e avionit gjysmë të zhytur në lumë. Autoritetet tajvaneze kanë deklaruar se mes viktimave ishin edhe dy pilotët e avionit.

Filmime amatore të ngjarjes, të realizuar prej personave në automjetet që kalonin aty pranë, tregojnë sesi avioni anohet fort, godet një taksi e pastaj urën, përpara se të rrëzohej në lumë.

E themeluar në 1951-shin, si kompania e parë private e Tajvanit, që kryen fluturime të brendshme, “TransAsia” më vonë e zgjeroi veprimtarinë e saj edhe jashtë kufijve.

Korrikun e vitit të kaluar, një avion i kësaj linje ajrore u rrëzua në kushtet e një moti të stuhishëm në arkipelagun Penghu. Autoritetet tajvaneze pohuan më vonë se aksidenti kishte qenë pasojë e gabimeve të pilotit.

Top Channel