Shqipëria humbi për të disatën herë me radhë betejën me natyrën dhe këtë herë përmbytje masive prekën zona të tëra në jug të vendit.
Më problematike situata paraqitet në zonat ku kalon Lumi Vjosë, dalja nga shtrati e të cilit ka përmbytur 17 mijë hektarë tokë në zonën mes Fierit dhe Vlorës. Dhjetra banesa janë akoma nën ujë dhe dëmet e shkaktuara janë të mëdha në blegtori dhe bujqësi.
Si po përballohet kjo situatë dhe cilat janë nevojat më emergjente të banorëve të prekur nga përmbytjet?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigje të ftuarit në takimin e kësaj të enjteje me Sokol Ballën në Top Story. Emisioni nisi me një lidhje direkte nga Darzeza, një ndër fshatrat më të prekur nga përmbytja ku gazetarja e Top Channel, Alma Demiraj foli me banorët e zonës.
Banorët u ankuan për humbjet e mëdha dhe për ndihma të pamjaftueshme. Kërkesat kryesore të tyre janë ushqime për vete dhe për bagëtitë. Përtej reshjeve të dendura të shiut, çfarë roli ka luajtur dora e njeriut dhe sjellja jonë me natyrën gjithë këto vite në këto përmbytje?
“Dora e njeriut ndër vite, për shumë vite ka rrënuar gjithë sistemin tonë pyjor kodrinor dhe erozioni dhe për herë të parë, për më shuëms e 57 vite Lumi Vjosë nuk ka shqyer argjinaturat, por ka kaluar mbi to, duke kaluar në 3 mijë metërkub ujë për sekondë. Në Frakull lumi ka kaluar mbi Urën e Mifolit. Në Darzezë përmbytja ka ndodhur në datën 3, uji ka shkuar mbi 72 orë me vonesë dhe ne kemi informuar banorët për këtë, për kapacitetin e largimit të pompave që nuk ishte më shumë se 600 mkub për sekondë”, deklaroi Shemsi Premçi.
Ambientalisti Sazan Guri tha se “gjendja ishte e dhimbshme, shtëpitë ishin gjysmë në ujë dhe banorët kanë të drejtë. Situata është alarmante, na duhet të tregojmë veten të tregojmë një kohezion social. Por situata është e kapërcyeshme.
Ministri i Bujqësisë, Panariti tha se bëhet fjalë për një situatë emergjence dhe se ka nisur puna për identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi dhe blegtori duke premtuar më pas dëmshpërblim për banorët e goditur.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi i mëshoi kërkesës së opozitës drejtuar qeverisë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ajo akuzoi Kryeministrin Rama për shpërfillje të situatës duke thënë se ai u paraqit në zonat e përmbytura vetëm në ditën e tretë.
“Sot është dita e shtatë dhe nuk është shpallur edne gjendja e emergjencës, nuk ka asnjë koordinim, shpërndahen ndihmat rrumpallë”, tha ajo.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi kundërshtoi pretendimet e opozitës duke thënë se në terren kanë qenë që nga dita e parë mbi 2 mijë trupa dhe mbi 400 mjete për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të goditura.
Jamarbër Malltezi, Drejtor i Departamentit të Zhvillimit të Territorit në Partinë Demokratike tha se qeveria nuk paralajmëroi banorët dhe e fajësoi ekzekutivin se zhvendosi fondet për pastrimin e kanaleve të kullimit për të mbjellë palma në autostradë.
“Kur nisi nuk kishte asnjë strukturë të shtetit atje. Sot jemi në ditën e 6 dhe të 7 dhe vetëm sot ministri tha se janë shpërndarë ndihma. Në 20144 10 përqind më pak fonde për bujqësinë në këtë vend, ku shkuan këto fonde? Fondet shkuan për palmat e autostradës? Qeveria duhet të përgatitet, të njoftojë popullsinë, për fat të keq nuk u njoftua popullsia. Nuk është njoftuar popullsia në asnjë media kombëtare dhe vetëm sot doli Ministri i Brendshëm dhe tha që kemi njoftuar në mediat lokale. Sot nuk ka asnjë familje të strehuar në ndonjë institucion shtetëror”, tha ai.
Ministri Panariti hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se kanalet e kullimit janë pastruar dhe hidrovoret kanë qenë në punë.
“Të gjitha hidrovoret janë në gjendje pune. Kanalet e para dhe të dyta të kullimit janë në gjendje funksionale dhe situata nuk u lidh me mosfunksionin e hidrovoreve dhe kanaleve. Është dalja jashtë shtratit e një lumi. Situata në fjalë ka qenë perfekte nga pikëpamja e funksionit të hidroverve. Pranojmë që hidrovoret nuk kanë funksionuar 24 orë për shkak të furnizimeve me energji dhe këtë e kemi kërkuar që të mos përsëritet”, tha zoti Panariti.
Top Channel