Operacioni në zonat e përmbytura, Panariti jep detaje

05/02/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti deklaroi në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel se ditën e enjte do të ndërmerren një sërë operacionesh në zonat e përmbytura, pasi edhe kushtet e motit janë të favorshme.

Ai tha se do të shpërndahen ushqime për banorët, po ashtu edhe për gjënë e gjallë, ndërsa do të dezinfektohet zona dhe do të groposen bagëtitë e ngordhura.

“Përqendrimi jonë do të jetë veçanërisht për shpërndarjen e ushqimeve për blegtorinë. Ne kemi siguruar sasi të mëdha të koncentratit dhe të barit të thatë të cilat do t’i dërgojmë në zonat e përmbytura, duke i shpërndarë në mënyrë të organizuar. Gjatë ditës së enjte do të largojmë trupat e kafshëve të mbytura dhe do të bëjmë ç’është e mundur që ato të groposen sa më parë dhe të bëhet dezinfektimi në zona. Ndërkohë, me tërheqjen e ujërave do të ketë edhe gjallesa të tjera, të cilat duhet të tërhiqen në kohë rekord dhe të groposen. Unë i jam drejtuar të gjitha bizneseve në fushën e ushqimit, të cilat kanë treguar vullnet për të dërguar ndihma të konsiderueshme në zonat e prekura. Ne do të organizojmë kamionët që do të merren me transportin e miellit, vezëve dhe ujit të pijshëm”, është shprehur ministri i Bujqësisë.

Top Channel