Greqia: Mos na poshtëroni!

05/02/2015 00:00

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis i kërkoi Gjermanisë që të mos poshtërojë vendin e tij për shkak të borxhit që ka.

Varoufakis krahasoi situatën aktuale të Greqisë me atë të Gjermanisë mes dy luftërave botërore. Në atë kohë, Gjermania përballej me një borxh galopant për të paguar, të trashëguar nga Lufta e Parë, e kërcënuar nga hiper-inflacionit dhe një ekonomi të shkatërruar.

Në një intervistë dhënë për televizionin gjerman, ARD, Ministri grek i Financave tha se Gjermania është vendi që më së pari e kupton më së miri situatën.

“Mendoj që mes gjithë vendeve të Europës, gjermanët e kuptojnë më së miri këtë mesazh të thjeshtë. Nëse poshtëron një vend krenar për një kohë të gjatë për shkak të borxheve të tij, pa një dritë në fund të tunelit, atëherë gjërat nisin e vlojnë”, tha Varoufakis.

Kjo deklaratë e lëshuar para takimit me Ministrin e Financave, Wolfgang Schauble u interpretua si një mesazh drejtuar homologut gjerman.

Megjithatë ajo nuk ndryshoi qendrimin e Berlinit sa i takon borxheve greke. Për Schauble Athina duhet t’i përmbahet në mënyrë strikte zotimeve të saj të mëhershme dhe të vijojë bashkëpunimin me FMN-në, BE-në dhe BQE-në, si tre institucionet huadhënëse.

“Ramë dakort për të mos qenë dakort”, ka thënë ai në përfundim të takimit me homologun grek Yanis Varoufakis. Schaeuble nuk ka lëshuar pe. “Greqia duhet të punojë me FMN-në, BQE-në dhe Komisionin Europian, pra, me tre institucionet me të cilat ka ndërmarrë programin e ndihmave”, ka thënë ministri gjerman.

Me pak fjalë, ministri i ri grek i së majtës radikale nuk ka arritur të zbusë “ujkun e vjetër” të politikës gjermane, mbrojtës i fortë i një politike evropiane të rreptë, aq sa kritikët e tij e shohin si një politikë masash mbytëse.

Deklarata e tij ka ardhur gjithashtu pak orë pas vendimit të BQE, për të mos pranuar më vonë se 11 shkurti titujt e borxhit publik grek, si garanci për borxhet e saj. Ndërkohë, në mëngjes, në Paris, presidenti francez Francois Hollande priti kryeministrin e ri grek Alexis Tsipras, të cilit i sugjeroi të shkojë në Berlin dhe të takojë kancelaren Angela Merkel.

“I thash Tsipras, shko takoje kancelaren, sepse është gjëja e duhur për t’u bërë kur i përket një komuniteti dhe e garantova se ajo do ta presë”, deklaroi Hollande.

Ndonëse foli për një marrëveshje, edhe Hollande duket se i bëri një “dush të ftohtë” mysafirit të tij.

“Duhet të gjejmë një marrëveshje, një paketë referimi për grekët në mënyrë që të bëjnë reformat, të paguajnë borxhet dhe njëkohësisht të gjejmë solidaritetin evropian. Të gjitha këto duhen bërë pa humbur kohë”, deklaroi Hollande.

Top Channel