Situata në Darzezë, mungon ushqimi dhe uji i pijshëm

04/02/2015 00:00

Fshati Darzezë ndodhet vetëm 18 kilometra nga Fieri. Prej të shtunës në darkë, jeta në këtë fshat është vështirësuar ndjeshëm nga furia e Vjosës. Me qindra familje janë izoluar duke hasur probleme në furnizimin me ushqime e deri tek uji i pijshëm. Sipërfaqe të tëra toke janë mbuluar plotësisht, ndërsa shumë pak familje kanë vendosur të mos lëvizin.

Një prej tyre është familja Daja që përbëhet nga 6 pjestarë dhe katër ditët e fundit nuk mund t’i harrojnë. Lumturie Daja thotë: “Vëllai më ka sjellë dru dhe një bidon vaj. Unë kërkoj ndihmë nga shteti që të nxjerr fëmijët nga kjo situatë. Ushqehemi me ato pak gjëra që na kanë mbetur në shtëpi. Kemi shumë nevojë për ushqime. Kemi një fëmijë të vogël 2-muajsh që do qumësht pasi nuk mjaftohet nga nëna. Nuk dimë ku të shkojmë.”

Shumë e vështirë është gjendja edhe për nusen e shtëpisë, Nevilën: “Kam 4 fëmijë dhe nuk kam çfarë të gatuaj. Nuk kam asgjë në shtëpi.”

Ata që e vuajnë më shumë bllokimin janë fëmijët. Prej katër ditësh, Kristina nuk shkon në shkollë: “Nuk shkojmë dot sepse janë bllokuar rrugët. Dua të kthehem sa më shpejt.”

Pak metra nga shtëpia e tyre gjendet familja Tafa e cila përbëhet nga një çift të moshuarish. Rruga për në shtëpinë e tyre bëhet vetëm me traktor.

Aqif Tafa tregon: “Fëmijët janë në kurbet. Në pragun e derës kam bërë një pritë me miell gruri që të mos futet uji në shtëpi.”

Prej shumë vitesh, e zonja e shtëpisë është e paralizuar.

“Uji po na hyn brenda dhe nuk kam çfarë të bëj pasi unë nuk jam e zonja e vetes”, thotë Ruzhdie Tafa.

Derisa situata të normalizohet, banorët e Darzezës do të luftojnë me ujin, urinë, izolimin dhe ngarkesën psikologjike, e pashmangshme në një situatë të tillë.

Top Channel