Për qeverinë gjermane Trojka ka funksionuar dhe është e arsyeshme që tre institucionet përbërëse të saj, BE, BQE dhe FMN, të mbeten brenda saj.

Është ky qëndrimi i qeverisë gjermane, i shprehur nga zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.

“Trojka duhet të vazhdojë përballjen me vendet në krizë që kanë nisur një program shpëtimi, për të verifikuar se si po ecin përpara”, ka thënë Seibert.

Ky është një tjetër mesazh i fortë që vjen nga zyra e kancelares Merkel, e cila në fund të muajit të kaluar shoi shpresat e qeverisë së re greke për faljen e borxhit.

“Banka dhe kreditorët edhe kështu kanë bërë lëshime të mëdha e shkurtime të qënësishme”, deklaroi kancelarja gjermane, edhe pse ashtu si zyrtarë të lartë të BE-së i mëshoi idesë se Greqia duhet të mbetet në zonën e monedhës së përbashkët.

“Qëllimi i politikave dhe qëndrimeve tona është që Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës. Europa do të vazhdojë të tregojë mbështetjen e saj për Greqinë dhe për vendet e tjera të prekura nga kriza, nëse ato ndërmarrin reforma që shkurtojnë shpenzimet dhe nuk parashikoj asnjë fshirje të re borxhi”, tha Merkel për “Hamburger Abendblatt”.

Top Channel