Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi në vitin 2027 Situata në Ukrainën lindore është përshkallëzuar sërish me episode të reja dhune dhe viktima.
Të paktën 4 vetë raportohen të kenë humbur jetën nga goditja me mortaja e një spitali në qytetin e Donjeckut, të kontrolluar prej rebelëve. Nga sa pohojnë autoritetet vendore, pjesa më e madhe e atyre që u vranë ndodheshin jashtë ndërtesës.
Ka të dhëna ende të pakonfirmuara se numri i vdekjeve është edhe më i madh se kaq. Vala e dhunës është shtuar këto javët e fundit në rajonet lindore të munduara nga konflikti, ku separatistët prorusë duket se janë në epërsi me marrjen e territoreve të tjera nga duart e forcave qeveritare në Donjeck, përfshirë aeroportin e qytetit.
Një ditë më parë, nga luftimet mes trupave të Kievit dhe mbështetësve të Moskës gjetën vdekjen 8 civilë. Në mësymjet e 24 orëve më parë, edhe 22 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Përplasje të armatosura janë shënuar pa reshtur, që prej dështimit të bisedimeve për armëpushim të shtunën. Në mesin e këtij përkeqësimi të beftë të situatës, zërave që bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut iu shtua edhe ai i Papa Françeskut. Nga Vatikani, Ati i Shenjtë deklaroi se ajo që po ndodh në Ukrainë është një luftë mes të krishterësh.
“Situata, fatkeqësisht po shkon drejt përkeqësimit dhe e njëjta gjë është duke ndodhur edhe me pozicionimin e palëve të përfshira në konflikt. Unë do të vazhdoj ta përsëris mesazhin tim për rifillimin e dialogut, si rruga e vetme që do ta çojë këtë vend të martirizuar drejt paqes”, tha Papa Françesku.
Shqetësimet janë se dhuna mund të përshkallëzohet edhe më tej, çka e la qartë të kuptohet edhe njoftimi i një lideri rebel për “mobilizim të përgjithshëm”, qëllimi i të cilit është fuqizimi i forcave separatiste me rreth 100 mijë luftëtarë të tjerë.
Top Channel