SHBA, armë drejt Ukrainës?

03/02/2015 00:00

Pas raporteve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmend të dërgojnë armë në Ukrainë, këshilltari për sigurinë në Shtëpinë e Bardhë, Ben Rhodes, u përpoq ta minimizonte jehonën e këtij informacioni.

Sanksionet mbeten mënyra më e mirë për t’i bërë presion Rusisë, tha ai në një intervistë për CNN; më shumë armë, zor se do të arrijnë ta zhbëjnë këtë konflikt: “Nuk mendojmë se zgjidhja e krizës ukrainase do të vijë thjesht falë një injektimi armësh. Kjo nuk është një situatë që kërkon përgjigje me të njëjtën monedhë”.
 
Që Uashingtoni nuk po kërkon një zgjidhje ushtarake të ngërçit, këtë e pohoi dhe zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki. Nuk besoj se dëshiron njeri luftë të autorizuar me Rusinë, u shpreh ajo.

Objektivi është ta bëjmë Moskën të ndryshojë qëndrim, për këtë arsye dhe ia kemi vendosur sanksionet. Amerika e furnizon aktualisht Kievin me armë jovdekjeprurëse në të cilat përfshihen njësitë e detektimit të mortajave, jelekë anti-plumb, dylbi e të tjera pajisje si këto, ndërsa marrjen e një vendimi për armatime më të rënda duke nisur nga pushkët automatike e deri tek raketat anti-tank, adminsitrata e Obamës e ka vonuar me shpresën se mes Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë do të arrijë të gjendet një zgjidhje diplomatike.

Për çdo rast, për të përligjur furnizimin me armë të forcave qeveritare ukrainase, Uashingtonit i duhet të paraqesë prova se Rusia i dërgon armë separatistëve dhe një dëshmi e tillë nuk ekziston.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA