Bullgari, gjendje e jashtëzakonshme nga përmbytjet

03/02/2015 00:00

Vërshimi i ujërave në pothuajse të gjithë jugun e Bullgarisë ka detyruar autoritetet vendase të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa pohojnë se një shkallë e tillë evakuimi e banorëve në zonat më të rrezikuara nuk ishte parë prej vitesh.

Një djalë 9-vjeçar dhe i rrituri që e shoqëronte humbën jetën që të dy të dielën e po prej përmbytjeve në mbarë vendin raportohen disa të zhdukur.
 
Në qytetin bregdetar të Burgas-it, mbi 70 shtëpi janë përmbytur nga lumi Tundzha. Një sërë qytezash e fshatrash të zonës janë bllokuar krejtësisht nga uji e kanë mbetur kësisoj të izoluara, çka vështirëson dërgimin e ndihmave dhe ekipeve të shpëtimit. Ushtarë, zjarrfikës e civilë bashkuan forcat gjatë fundjavës në përpjekje për të siguruar argjinaturat e lumenjve.

Qyteti jugor i Smolyan-it është në gjendje emergjence për shkak të erërave të furishme dhe shirave të rrëmbyer që nxorrën nga shtrati lumin Cherna. Dëmet materiale këtu janë të pallogaritshme.

“I kemi kërkuar banorëve në rajonet e ndodhura përgjatë lumenjve që të përgatiten për evakuim. Kemi krijuar një grup pune me zyrtarët lokalë i cili përpos sigurisë së qytetarëve, të kujdeset edhe për mbrojtjen e pronave të tyre”, deklaroi kryeministri Boyko Borisov.

Ministri i Brendshëm, Veselin Vuchkov, u shpreh nga ana tjetër se është e një rëndësie kyçe që njerëzit të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të cilët kanë dhënë porosi edhe për evakuime vullnetare. Shirat dhe vërshimet e ujit kanë dëmtuar rrugë e ura në të gjithë Bullgarinë. Dëmet e përmbytjeve në vitin 2014 i kushtuan vendit plot 400 milionë euro.

Top Channel