Komisioni Europian ka deklaruar se mund të zëvendësojë përfundimisht Trojkën, siç njihet ndryshe grupi i ekspertëve të BQE-së, BE-së dhe FMN-së që mbikëqyrnin financat e Greqisë, duke plotësuar kështu një kërkesë themelore të qeverisë së re të Radikalëve të Majtë.

Sipas zëdhënësit Margaritis Schinas, që ka deklaruar se kryeministri Tsipras dhe kreu i KE Juncker do takohen të mërkurën, Trojka do të zëvendësohet me një strukturë më demokratike, legjitime dhe më të përgjegjshme, bazuar tek institucionet europiane, e kontrolluar edhe nga Parlamenti Europian.

“Komisioni Europian mbetet në kontakt të ngushtë me qeverinë greke. Kryeministri Tsipras ka folur në telefon me presidentin Jean-Claude Juncker të shtunën dhe unë mund të konfirmoj se ne e presim kryeministrin këtu të mërkurën”, ka deklaruar Schinas.

Pasi ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Qipro, duke ruajtur traditën e gjithë kryeministrave grekë, Tsipras ka theksuar se zëvendësimi i Trojkës është një hap pozitiv për Europën.

“Unë besoj se ky ishte një zhvillim i pjekur dhe i domosdoshëm për Europën. I pjekur sepse nisur nga hetimi që është bërë në Parlamentin Europian, pothuajse të gjitha organet në BE kanë pranuar se ky mekanizëm nuk ka një ligjshmëri demokratike dhe institucionale në nivel europian. I domosdoshëm sepse sot më shumë se kurrë, Europa ka nevojë për frymëmarrje”, ka deklaruar Tsipras.

Ndërsa ministri britanik i Financave pas takimit me homologun grek ka theksuar se konfrontimi Greqi-Eurozonë është i rrezikshëm për të gjithë. Ndërkohë që Berlini vazhdon të mbajë përsëri qëndrimin e ashpër ndaj Athinës dhe kërkesave të saj për zëvendësimin e Trojkës dhe çështjen e reduktimit të borxhit.

“Ndoshta fjala “Trojka” ka një impakt simbolik për disa njerëz në Greqi, por është e qartë se ajo përfshin tre institucione: FMN, BQE dhe BE, të cilat së bashku me qeverinë e një vendi negociojnë detajet e programit. Ajo është pjesë e traktateve të BE-së dhe askush nuk mund t’i ndryshojë ato”, ka thënë Wolfgang Schauble, ministri gjerman i Financave.

Të njëjtin qëndrim, duke mos planifikuar ende takim me kryeministrin e ri grek mban edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila javën e ardhshme do ketë një takim të nivelit të lartë me një axhendë të gjerë bisedimesh, pjesë e të cilave do të jetë edhe Athina, me presidentin amerikan Barack Obama, i cili në orët e fundit u shpreh hapur kundër politikave të masave të ashpra ndaj Greqisë.

Top Channel