Vjosa del nga shtrati, përmbyt toka dhe shtëpi. Dhjetëra biznese nën ujë

01/02/2015 00:00

Vjosa ka nisur t’i japë efektet e saj shkatërruese shumë më parë se të mbërrijë vala e ujit, që paralajmërojnë zyrtarët në Përmet. Në disa zona, lumi ka dalë nga shtrati që në orën 1 pas mesnate, duke shkaktuar përmbytje masive kryesisht në toka bujqësore.

Sipas Shtabit të Emergjencës janë përmbytur rreth 300 ha tokë bujqësore në fshatrat Kashisht, Kafaraj, Cerven, Sheq Musalar dhe Ferras. Dëme janë shkaktuar edhe në ushqimin e bagëtive, teksa janë përmbytur edhe pajisjet elektroshtëpiake në disa shtëpi të ndërtuara pa leje, shumë pranë shtratit të lumit.

Sipas Prefektit të Fierit, Xhevit Bushi, i cili ka qenë gjatë natës në zonat e përmbytura, Shtabi i Emergjencës ka marrë të gjitha masat për parandalimin e çdo të papriture.

Korrespondenti i Top Channel nga Fieri, Shpëtim Cane, ka dhënë një panoramë të përgjithshme të situatës në këtë Qark dhe informacione në lidhje me masat për evakuimin e banorëve, duke pasur parasysh paralajmërimet për shtim të frikshëm të nivelit të ujit nga burimi i tij, në Përmet.

“Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në disa fshatra të rrethit të Fierit, por nuk ka banorë të dëmtuar si rezultat i evakuimit gjatë mbrëmjes së djeshme. Nga prurjet janë dëmtuar qindra hektarë tokë bujqësore, është dëmtuar ushqimi i bagëtive, por edhe dhjetëra biznese kanë përfunduar nën ujë. Veç këtyre nga prurjet janë përmbytur edhe puset që furnizojnë me ujë të pijshëm, në stacionin e pompave në Kafaraj. Nga 17 puse, vetëm 3 kanë mbetur në funksion, të tjerat janë nën ujë. Prurjet priten të shtohen nga momenti në moment, por janë marrë të gjitha masat për evakuimin e njerëzve. Veç shtabeve të emergjencave, për t’iu ardhur atyre në ndihmë këtu ndodhen edhe shumë forca policore, të ndërhyrjes së shpejtë, por edhe zjarrfikëse. Për t’u theksuar është se shumë familje nuk pranojnë të evakuohen pa marrë me vete edhe bagëtitë e tyre, sepse është e vetmja mundësi për t’u ushqyer për ta”, shprehet Shpëtim Cane nga Fieri.

*** Situata në jug të vendit, kryesisht në Përmet, Tepelenë, Gjirokastër dhe në zonën përreth lumit Vjosa, situata ka qenë e rënduar që prej të paktën 2 ditësh, për shkak të reshjeve të cilat kanë zgjatur gjatë gjithë ditës së shtunë. Prej së premtes, në Gjirokastër ka pasur probleme në lëvizjen e mjeteve në aksin kryesor nacional për shkak të ujit në rrugë, ndërsa raportohet se e njëjta situatë është edhe në Përmet e Tepelenë.

Reshjet e shumta në zonën ujëmbledhëse të lumit Vjosa, në Shqipëri e Greqi, kanë rritur në nivele kritike këtë lumë, që në disa pjesë të tij ka dalë nga shtrati.

Shtabi i Emergjencave është në gatishmëri të situatës, ndërsa po mbahen nën kujdes edhe hidrovoret për të evituar grumbullimin e ujrave dhe përmbytjet. Sipas të dhënave, reshjet do të vijojnë edhe për disa ditë, duke bërë që përmbytjet të jenë të paevitueshme.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel