Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, vizitoi zonat e prekura nga përmbytjet në Lushnje, Fier dhe Vlorë duke thënë se prurjet e lumenjve janë në kushtet e një kërcënimi serioz dhe për më shumë na pret një javë e keqe pasi reshjet, sipas parashikimeve, do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.
“Situata është e rënduar pasi shirat i kanë çuar në ekstrem prurjet e lumenjve dhe po përmbyten të gjitha fshatrat përreth. Unë inspektova të gjithë rrjetin e hidrovorëve të cilët po drenazhojnë me kapacitet të plotë ujërat, por kjo është një situatë që kapërcen çdo lloj kapaciteti”, theksoi ministri i Bujqësisë, i cili shtoi se bëhet fjalë për një “situatë historike”.
“Vetëm në vitin 2005 mbahet mend diçka e tillë, por ajo që më shqetëson më shumë është se ne përgatitemi të hyjmë në një javë të re me reshje që do e rëndojnë akoma më shumë situatën. Duhen impenjuar të gjitha strukturat, jo vetëm Ministria e Bujqësisë”, shtoi zoti Panariti.
Top Channel