Ftohja Hungari-BE, Merkel në Budapest

31/01/2015 00:00

Angela Merkel shkon këtë të hënë për herë të parë në Budapest, ku do të takohet me homologun hungarez Viktor Orban.

Rrugëtimi i kancelares gjermane vjen në një kohë ftohjeje të marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Hungarisë, që duket gjithmonë e më e orientuar për nga Rusia.

Prej vitesh ky shtet përbën një shqetësim për bllokun 28-anëtarësh. Orban e mori pushtetin në 2010-n me shumicë dërrmuese votash e prej atëherë i ka dhënë vendit një kurs i cili bie ndesh me një pjesë të vlerave themelore të BE-së.

Kjo situatë ka dëmtuar marrëdhëniet e Budapestit me disa europianë, përfshirë dhe vetë Gjermaninë, partneri i saj më i rëndësishëm strategjik.

Ndalesa e shkurter e Merkel konsiderohet befasuese sidomos nisur nga fakti që një vit më parë ngurroi ta ndërmerrte një udhëtim të tillë për të qenë e pranishme në festimet e 25-vjetorit të rënies së Perdes së Hekurt.

Gjatë qëndrimit vetëm 5-oresh, Merkel do të takojë Orban në një darkë pune, presidentin Janosh Ader, përfaqësues të komunitetit hebre, si dhe studentë.

Sipas njoftimit të shkurtër të zyrës federale të shtypit, Merkel dhe Orban do të diskutojnë mbi çështje dypalëshe dhe europiane, mbi zhvillimet aktuale në Hungari, si dhe gjendjen në Ukrainë.

Me shumë gjasë në bisedime do të preket çështja e lirisë së shtypit në Hungari, si dhe pohimet e fundit ksenofobe të Orban, i cili deklaroi pas sulmeve të Parisit se Europa duhet të ndalojë emigracionin e njerëzve nga kultura të tjera.

Por tema më e nxehtë duket se do të jenë sanksionet ndaj Rusisë. Si anëtar i bllokut, Hungaria i ka aprovuar masat e deritanishme ndaj Moskës, por me shumë vështirësi dhe gjithmonë duke nxjerrë në pah faktin që është kundër lëvizjeve të tilla.

Orban vazhdimisht argumenton se sanksionet dëmtojnë interesat ekonomike të vendit të tij, ato të të gjithë Bashkimit Europian dhe këmbëngul se politikisht, në këtë mënyrë nuk do të arrihet asgjë.

Top Channel