Incidenti në televizionin holandez, i riu kërcënoi punonjësit me pistoletë lodër

30/01/2015 00:00

Në Holandë, kryefjala e ditës është incidenti në ambientet e televizionit NOS, ku një i ri i armatosur hyri me dhunë gjatë transmetimit, e kërkoi të dilte në ekran. 19-vjeçari, i cili duket se ka paralajmëruar edhe për bombë e sulme kibernetike, u arrestua shumë shpejt, megjithatë autoritetet holandeze deklaruan se nuk bëhet fjalë për një episod me sfond terrorist.

Përmes një deklarate, policia sqaroi më vonë se i riu e ka pranuar, që kërcënimet ishin të rreme dhe se kishte vepruar i vetëm. Arma që mbante në duar ka qenë plastike.

Mbeten megjithatë të paqarta arsyet, që e kanë shtyrë drejt një veprimi të tillë, i cili vjen në një kohë kur e gjithë Europa i ka forcuar masat e sigurisë, pas sulmeve vdekjeprurëse në Paris.

19-vjeçari, i veshur me kostum e me një pamje mjaft të rregullt, ka kërkuar 10 minuta kohë televizive. “Duhen thënë ca gjëra – është shprehur ai, – e janë gjëra shumë të mëdha, që kanë të bëjnë me çështje botërore. Jemi pajtuar nga shërbimet sekrete”, shton i riu në regjistrimin e dorëzuar më vonë prej NOS.

Televizioni NOS e ndërpreu menjëherë transmetimin, e studiot u evakuuan nga policia, ndërsa përgjatë gjithë ngjarjes, në ekranin e tij shfaqej mesazhi: “Nisur nga rrethanat, në këto momente nuk mund të transmetojmë asgjë”.

Top Channel