Korçë, Bashkia shet librat me peshë, këshilltarët kundërshtojnë

29/01/2015 00:00

Bashkia e Korçës kërkon të shesë një sasi shumë të madhe librash të Bibliotekës së qytetit, për shkak të mospërdorimit prej shumë dekadash apo dëmtimit. Librat janë futur në thasë dhe kuti në pritje të vendimit të Këshillit Bashkiak, më pas pritet të përfundojnë për riciklim.

“Janë tre arsye të rëndësishme që na detyrojnë t’i nxjerrim jashtë përdorimit. Së pari, fizikisht librat janë shumë të dëmtuar, pra ka libra që kanë vetëm kapakun dhe 2-3 fletë të librit, e që nuk kanë asnjë vlerë më. E dyta, ka libra që kanë një përmbajtje shumë të vjetëruar, libra për fëmijë që mësohen me dashurinë për partinë dhe xhaxhin Enver, janë libra që nuk kanë asnjë vlerë artistike apo vlerë në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu ka edhe libra të tjerë, që nuk tërhiqen nga qytetarët, do të thotë që në 10 vjet – dua ta theksoj këtë fakt – ka libra që kanë vëllim shumë të madh e me kapakë shumë të trashë e që nuk janë tërhequr kurrë nga Biblioteka”, u shpreh Zamira Kita, drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës.

Bashkia i sqaron Këshillit Bashkiak se janë tre ton libra, por këshilltarët e djathtë dhe ata të majtë kanë kërkuar evidentimin në një listë të veçantë dhe dhënien mundësi të personave të ndryshëm për të blerë titujt e rrallë, të vjetër apo me interes.

Në këtë mënyrë, shumë nga librat e ruajtur mund të riciklohen për përmbajtjen e tyre dhe jo për riciklim si letër për karton apo ambalazh.

Top Channel