Hetimet për pengmarrjen në Australi

29/01/2015 00:00

Në Australi ka nisur hetimi gjyqësor lidhur me pengmarrjen e ndodhur në
një kafene në Sidni, që përfundoi me vdekjen e 3 personave, agresorit
dhe 2 pengjeve.

Në seancën e parë u tha se një prej viktimave, Kathrina Dowson, u vra nga fragmente të plumbave të policisë. Këtë e tha Jeremy Gormly, avokati që përfaqëson mjekun ligjor. Sipas tij Dowson u godit nga 6 copëza të një apo disa predhave të shkrepura nga armët e policisë që kishin bërë rikoshet nga sipërfaqet e ngurta në trupin e saj.

Ndërsa pengu tjeter, Tori Johnson, i cili ishte menaxher i kafenesë së marrë peng, u vra si pasojë e një plumbi në kokë nga agresori Man Haron Monis.

Vrasja e tij detyroi policinë të sulmonte kafenenë duke i dhënë fund pengmarrjes, por si pasojë e ndërhyrjes policore ka humbur jetën Kathrina Doëson dhe agresori Monis.

Hetuesit do të përpiqen të zbulojnë rrethanat e sakta të vdekjes së 3 personave dhe nëse vdekja e tyre mund të shmangej. Do të shqyrtohet gjithashtu nëse ishte e përshtatshme që ngjarja të trajtohej si sulm terrorist dhe nëse kriza mund të menaxhohej më mirë.

Monis mori 18 persona peng në kafenenë që pozicionohet në Martin Place të Sidnit më 15 dhjetor, duke i dhënë nismë një operacioni të madh policor e duke sjellë izolimin e një pjese të madhe të qytetit.

Gjatë seancës dëgjimore u tha se Monis kishte hyrë në kafene me një armë zjarri të fshehur në një qese plastike. Ai kishte kërkuar tortë me çokollatë dhe çaj dhe të fliste me menaxherin, Tory Johnson. Pasi e urdhëroi atë të mbyllte lokalin kishte njoftuar se bëhej fjalë për një sulm dhe se kishte me vete një bombë.

Më vonë ai urdhëroi menaxherin të telefononte shërbimet e emergjencës dhe të njoftonte se Australia ishte nën sulm nga militantët e shtetit islamik.

Një numër pengjesh arritën të arratiseshin, por në 2 të orës lokale në 16 dhjetor policia sulmoi kafenenë, pasi një prej agjentëve pa agresorin teksa qëlloi me një plumb në kokë, Tory Johnson. Monis i cili erdhi në Australi si refugjat nga Irani njihej për aktivizimet fetare dhe ishte në liri me kusht kur ndodhi ngjarja. Ai akuzohej për sulme seksuale dhe për bashkëpunim në vrasjen e ish-gruas së tij.

Top Channel