Stuhia dimërore në SHBA, jo dhe aq “epike”. Parashikimet, të gabuara

28/01/2015 00:00

Stuhia dimërore që goditi verilindjen e Shteteve të Bashkuara ishte mjaft e ashpër, por jo e përmasave “epike”, siç profetizoi Shërbimi Meteorologjik Kombëtar amerikan.

Reshje të dendura dëbore ranë në Connecticut e Massachusetts, ku rrugët u veshën në të bardhë, megjithatë qyteti i Nju Jorkut nuk e pa gjëkundi stuhinë historike, e cila duhet të ishte ndoshta më e madhja që prej fillimit të regjistrimeve.

Kryebashkiaku Bill de Blasio iu përgjigj pretendimeve për reagim të ekzagjeruar, me pohimin se veproi i mbështetur në informacionet e ekspertëve.

“Ne morëm masa që njerëzit të ishin sa më të sigurtë. Si thoni ju, më mirë të jesh i papërgatitur, apo i përgatitur për çdo situatë? Të jesh i sigurt apo i pasigurtë? Detyra ime si udhëheqës është të marr vendime, qofshin këto edhe të gabuara, por që në çdo rast anojnë nga siguria dhe kujdesi”, tha Bill de Blasio, kryebashkiak i Nju Jorkut.

Në faqen e tij të rrjetit social Faceboook, Shërbimi Meteorologjik Kombëtar sqaronte se sistemet e stuhive dimërore ndryshojnë shumë shpejt, çka e bën tepër të vështirë parashikimin e saktë të tyre.

Stuhia e fundit është spostuar më shumë në lindje, e do të largohet me shpejtësi më të madhe nga sa e parashikuam në këto dy ditë. Ekspertët, megjithatë, e kanë një justifikim për gabimin e bërë.

Ata thonë se parashikimet jo plotësisht të sakta i detyrohen më së shumti faktit që i besuan modelit kompjuterik europian të parashikimit të motit, i cili kishte rezultuar i suksesshëm në gjetjen e rrugës së superstuhisë “Sandy”, por që këtë radhë dështoi në parashikim.

Zonat më të prekura prej stuhisë “historike”, Connecticuti dhe Massachusettsi, u përballën përkatësisht me 52 cm dhe 67 cm borë, ndërsa shtresa e saj në “Central Park” të Nju Jorkut nuk ishte më shumë se 13 cm.

Top Channel