SHBA-Rusi, në garë për armatimin bërthamor

28/01/2015 00:00

Rreth 24 vjet nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duket se janë angazhuar sërish në një garë armatimesh bërthamore, që mund të ketë pasoja shkatërrimtare.

Zv.kryeministri rus Dmitry Rogozin ka deklaruar se armët e reja bërthamore të Rusisë nuk mund të ndalen nga sistemet mbrojtëse amerikane në rast se shpërthen lufta.

Në një intervistë për televizionin publik rus, Rogozin ka thënë se Moska ka zhvilluar një teknologji të re që mund të tejkalojë fare lehtë sistemet mbrojtëse amerikane.

Rogozin po mbikëqyr modernizimin e arsenalit bërthamor të vendit, një proces që sipas presidentit Vladimir Putin do të përfundojë në vitin 2020, me një kosto prej 700 miliardë dollarësh.

Ndërkohë, një fakt tjetër është se kapacitetet bërthamore të pozicionuara nga Rusia ua kanë kaluar atyre amerikane, për herë të parë që prej vitit 2000, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit.

Në 1 shtator 2014, Rusia kishte 1.643 raketa bërthamore gati për t’i lëshuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin 1.642, të gjitha të pozicionuara drejt Rusisë.

Të dyja vendet kanë nisur përshkallëzimin e aktivitetit të tyre bërthamor që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara duket se nuk kanë ndërmend të mbeten mbrapa në këtë garë.

Administrata amerikane është gjithashtu e angazhuar në implementimin e një plani për modernizimin e arsenalit të saj bërthamor.

Në shtator 2014, qeveria amerikane hapi një impiant të ri në Kansas Siti pikërisht për modernizimin e kokave bërthamore që u montohen raketave.

Plani amerikan i modernizimit parashikon shpenzimin e mbi 355 miliardë dollarëve në 10 vitet e ardhshme për rinovimin e impianteve të armëve bërthamore dhe laboratorët e tyre.

Administrata Obama i ka kërkuar Pentagonit implementimin e një plani që përfshin 100 bomba të reja bërthamore, 12 nëndetëse të reja bërthamore dhe 400 raketa bërthamore që pozicionohen në tokë. Sipas llogaritjeve të një agjencie, i gjithë procesi do të arrijë në 1 trilion dollarë.

Por a kanë kuptim gjithë këto procese kur dy vendet kanë arsenal bërthamor të mjaftueshëm për të shkatërruar gjithë botën?

A munden Shtetet e Bashkuara dhe Rusia t’i zgjidhin përplasjet e tyre në mënyrë paqësore dhe të avancojnë përpara me procesin e çarmatimit bërthamor?

Top Channel