Kim Jong-un do të vizitojë Moskën gjatë festimeve për triumfin në LIIB

28/01/2015 00:00

Lideri koreano-verior, Kim Jong-un, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në festimet e Rusisë përgjatë majit, që do të shënojnë fitoren e ish-Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lajmi është konfirmuar nga agjencia koreano-jugore e lajmeve, këtë të mërkurë, duke cituar një zëdhënës të Kremlinit.

Ky udhëtim do të jetë i pari për liderin Jong-un që viziton një vend të huaj, që kur mori pushtetin në vendin komunist gjatë vitit 2011, pas vdekjes së papritur të të atit të tij, Kim Jong-il, ndërkohë që vjen përpara vizitës së tij në Kinë, aleatit kryesor të Koresë së Veriut.

“Rreth 20 krerë shtetesh kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre dhe mes tyre është edhe udhëheqësi i Koresë së Veriut”, njoftoi agjencia e lajmeve “Yonhap”, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, pas pyetjes së drejtuar atij.

Korea e Veriut dhe Rusia janë përpjekur së fundi të forcojnë marrëdhëniet mes tyre.

Në krahun tjetër, marrëdhëniet e Veriut me Kinën janë ftohur disi me ardhjen e Kim në pushtet, por më tepër gjatë vitit 2013 e në vijim, kur kreu i komunistëve sfidoi paralajmërimet e ndërkombëtarëve dhe sanksionet e OKB-së për të zhvilluar një testim të tretë bërthamor.

“Nuk ka asnjë rregull apo ligj, që thotë se Kim Jong-un duhet të shkojë në Kinë fillimisht”, tha Cheong Seong-chang, përfaqësues i Institutit Sejong të Koresë së Jugut. “Për sa kohë që Kina është e shqetësuar, do të duhet të ketë një shfaqje e angazhimeve të Koresë së Veriut për çarmatosjen bërthamore përpara se të jetë i mundshëm një samit mes tyre, por kjo gjë është e vështirë të ndërmerret nga Kim Jong-un momentalisht”.

Kina dhe Rusia kanë votuar pro në Këshillin e Sigurisë së OKB-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Veriut për testimet e saj bërthamore dhe ato të raketave me rreze veprimi të gjatë. Por, Kina ka mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj ambicieve bërthamore të fqinjit të saj.

Presidenti kinez, Xi Jinping, është takuar plot 6 herë me Presidenten koreano-jugore, Park Geun-hye, që prej ardhjes në pushtet të të dyve gjatë vitit 2012, duke nënvizuar kështu forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Jugun. Por, Xi ende nuk është takuar me Kim Jong-unin e Veriut.

Top Channel