Ukraina dhe NATO, takim “special” pas valës së re të luftimeve

26/01/2015 00:00

Ambasadorët nga Ukraina dhe 28 vendet anëtare të NATO-s do të zhvillojnë një takim special me kërkesë të Kievit këtë të hënë, për të diskutuar mbi valën e re të luftimeve në lindje të vendit, ka bërë të ditur aleanca atlantiko-veriore.

Në marrëveshjen e saj me NATO-n, Ukraina ka përfshirë edhe një klauzolë, e cila lejon të zhvillohen bisedime mbi çështje krize, sa herë që vendi vihet përballë një kërcënimi të drejtpërdrejtë për integritetin territorial të saj, pavarësinë politike apo sigurinë.

Takimi i fundit i jashtëzakonshëm i ambasadorëve të NATO-s dhe atij nga Ukraina është zhvilluar në gusht, megjithëse ka pasur takime nëpër ministeriale dhe të nivelit të krerëve të qeverive që prej atëherë.

Separatistët prorusë, të mbështetur – siç deklaron NATO – nga trupat ruse, kanë nisur një ofensivë në juglindje të Ukrainës, duke shkatërruar përfundimisht marrëveshjen e armëpushimit të arritur 5 muaj më parë. Rusia akuzon Kievin për përshkallëzimin e luftimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qenë i detyruar të zhvillojë bisedime edhe me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, gjatë së hënës, por një zyrtar i NATO-s tha se takimi ka qenë parashikuar që përpara përshkallëzimit të fundit të dhunës në Ukrainë.

NATO e ka bërë të qartë se nuk ka në plan të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, një vend i cili nuk është anëtar i aleancës, por ka përforcuar bashkëpunimin me Kievin, përfshi këtu krijimin e 5 fondeve të besimit për të përmirësuar nivelin e forcave të sigurisë së Ukrainës.

Top Channel