Ukrainë, presidenti super-ofertë opozitës

25/01/2015 00:00

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych i ka ofruar liderit të opozitës Arseniy Yatsenyuk postin e kryeministrit, në bisedimet e reja që u zhvilluan të pasditen e së shtunës, në përpjekje për të qetësuar situatën.

Zoti Yatsenyuk është nga partia e ish-kryeministres së burgosur Yulia Tymoshenko. Liderë të shumtë të grupeve parlamentare ishin të pranishëm në bisedime.

Takimi erdhi pasi demonstruesit bastisën dhe më pas pushtuan godinën e Ministrisë së Energjitikës në Kiev dhe teksa protestat vazhdojnë në disa qytete të vendit.

Më herët ministri i Brendshëm ukrainas, Vitaliy Zakharchenko, në krye të policisë dhe një nga figurat më të urryera nga protestuesit, fajësoi “grupe radikale” për trazirat, duke shtuar se protestuesit ishin të armatosur.

“Ngjarjet e ditëve të fundit në kryeqytetin ukrainas treguan se përpjekjet tona për të arritur një zgjidhje paqësore, pa përdorur forcën, janë të kota”, thai ai.

Katër protestues dhe një polic raportohet të kenë humbur jetën gjatë protestave, që nisën fundvitin e kaluar pasi qeveria refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje me BE-në.

Kriza më pas u përshkallëzua këtë javë kur dy aktivistë u vranë gjatë përleshjeve me forcat e rendit, ndërsa një tjetër u gjet i vdekur me shenja torture, në një pyll në afërsi të Kievit.

Një protestues 45-vjeçar thuhet se vdiq ndërkohë në një spital të kryeqytetit ditën e shtunë, për shkak të dëmtimeve që kishte marrë gjatë protestave.

Presidenti Viktor Yanukovych kishte premtuar më herët se do të bënte lëshime në përpjekje për të qetësuar situatën në vend, duke bërë apel për ndryshimin e ligjit anti-protestë dhe duke premtuar riformatim të kabinetit.

Por Vitaly Klitschko, një nga liderët e opozitës të ftuar në bisedime, kishte thënë se protestuesit tani kërkonin dorëheqjen e presidentit.

Top Channel