Me një postim të bërë paraditen e së shtunës në profilin e tij në Facebook, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar spektrin politik që të bëjë reformën elektorale në pjesën e parë të shkurtit.

“Ftoj spektrin politik të Kosovës që t’i bëjmë reformat e nevojshme zgjedhore që garantojnë një proces fer, transparent, demokratik dhe respektim të vullnetit të qytetarëve, si dhe të plotësojmë pritjet e partnerëve tanë”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka vlerësuar se, tani klasës politike i mbetet që t’i bëjë reformat e nevojshme ligjore, që prekin ligjin për zgjedhjet nacionale në disa fusha, për të cilat, siç tha ai, pret të arrihet konsensus politik, por edhe aprovim në Kuvendin e Kosovës. Disa nga pikat në fjalë janë:

– Përcaktimi i kohëzgjatjes së fushatës elektorale.
– Përcaktimi i numrit të kandidatëve në listat zgjedhore.
– Përcaktimi i pragut zgjedhor.
– Përcaktimi i së drejtës për votim me kusht.

“Ftoj spektrin politik që këto ndryshime t’i bëjmë në afatin e parë të mundshëm, në pjesë e parë të muajit shkurt. Po ashtu, PDK-ja shpreh gatishmërinë për pjesëmarrje në debate si dhe vullnet për arritjen e konsensusit politik”, përfundon postimi i kryeministrit.

Top Channel