Në Tetovë është përkujtuar themeluesi i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri. Në një akademi përkujtimore të organizuar me rastin e ditëlindjes së politikanit dhe mendimtarit të ndjerë, publicisti kosovar Baton Haxhiu foli gjatë për kontributin e Xhaferrit për lirinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe Kosovë.

“Arbën Xhaferri pushtetin nuk e ka pasur me vullnet. Ai ka ndjekur rrugën e lirisë që të vijë në pushtet dhe që atë ta bëjë, ose t’ia bëjë të tjerëve më të lehtë jetën që ta shijojnë më shumë lirinë. Ai e ka vërtetuar se liria juaj dhe e njeriut është para secilit pushtet që mund të marrë një mediokër dhe një mediokër kurrë nuk e çon larg pushtetin, vetëm e mban deri sa e ngulfat atë. Unë besoj se porosia e Arbën Xhaferrit është se liria është mbi të gjitha, pushteti i ngulfat të gjithë ata që nuk e dinë se çfarë është liria dhe çfarë është pushteti”, deklaroi Haxhiu.

Ndërsa pasardhësi i Arbën Xhaferrit në krye të PDSH-së, Menduh Thaçi tha se udhërrëfyes për të është ajo për të cilën u anagazhua kryetari i ndjerë i partisë: mbrojtja dhe liria e shqiptarëve.

“Di aq sa di, por nuk di sa Arbën Xhaferri. Bëj aq sa mundem dhe mundohem shumë. Do ta ndjek rrugën e tij dhe udhërrëfyes do të jetë ai dhe liria e njerëzve që përfaqësoi”, u shpreh Thaçi.

Përveç akademisë përkujtimore me rastin e ditëlindjes së Xhaferrit, përfaqësuesit më të lartë të PDSH-së bënë edhe homazhe tek varri i tij. Lideri i parë i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri ndërroi jetë më 15 gusht të vitit 2012, pas një sëmundjeje të rëndë.

Top Channel