Kreu i opozitës Lulzim Basha ka sulmuar qeverinë Rama-Meta, duke e konsideruar atë një qeveri të ngritur mbi një sistem gënjeshtrash dhe mashtrimesh.

Teksa ka marrë pjesë në festën e ditës së themelimit të PD, Basha është ndalur fillimisht tek fusha e rendit e më tej edhe tek reforma territoriale administrative, duke i konsideruar këto mashtrimet elektorale të 100 ditëve, të cilat fituan besimin e shqiptarëve që i votuan, por që shumë shpejt u shndërruan në zhgënjime për ta.

“Më shumë vende pune u mbyllën, qytetarët u hodhën në rrugë, çmimet u rritën dhe pasiguria mbizotëron. Cila është vota e tyre? Ata nuk e vrasin mendjen sepse kanë në mendje vetëm dy gjëra: salamandrën me reformën administrative nga njëra anë dhe zgjerimin e skemës së vjedhjes së votave nga ana tjetër”, deklaroi Basha.

Kreu i së djathtës nuk ka hezituar të ndalet as tek skandali i blerjes së votave në Korçë, që sipas tij ishte një test i së majtës që më tej do të përdorej në zgjedhjet e ardhshme, gjë e cila do ta bënte vendin tonë të hidhte një hap pas.

“PD, demokratët, opozita paralajmërojnë mosnjohjen e çdo produkti të njëanshëm që ka të bëjë me reformën adiministrative dhe përballimin e qeverisë me protesta masive. Paralajmërojmë gjithashtu se nuk do ketë zgjedhje në Shqipëri pa gjetur zgjidhje ndaj fenomenit të blerjes së votave”, theksoi Basha.

Gjatë fjalimit të tij, kreu i opozitës ka vlerësuar punën e themeuesve të PD, duke deklaruar se kjo parti po ringrihet fuqishëm dhe se të bërit opozitë është tashmë misioni i saj.

Top Channel