E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte arkeologia, studiuesja shkencore, zonja Etleva Nallbani, e cila foli për shqetësimin e bërë publik në lidhje me vendbanimin e lashtë të Komanit.

Qytetërimi arbëror, i cili shtrihet përgjatë Luginës së Komanit, do të zhduket nëse nuk do të ndryshoje vendimi për zhvendosjen e trasesë, ku duhet të ndërtohen katër shtyllat e tensionit të lartë, nga 50 metrash secila.

Pandi Gjata: Zonja Nallbani, përpara se të mësojmë më me detaje për rreziqet që kërcënojnë vendbanimin e Komanit, duam të mësojmë çfarë vlerash arkeologjike dhe historike ka ky vendbanim? Pse ky është kaq i rëndësishëm?

Etleva Nallbani: Komani është konsideruar gjithnjë si vendbanimi mitik i shqiptarëve. Nëpërmjet zbulimit të këtij vendbanimi ka marrë emër një qytetërim i tërë në Ballkanin Perëndimor, pasi janë disa nekropole dhe vendbanime që kanë dhënë materiale totalisht të krahasueshme me këtë nekropol. Duke qenë se Komani është më i madhe nga këta nekropole dhe i pari i zbuluar, atëherë është ky qytetërim që i dha emrin të tjerëve. Në aspektin historik është një aset arkeologjik shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Nga zbulimet e fundit kuptohet se është një qytetërim i tërë, kjo do të thotë që ka qenë një qytet me kisha, shtëpi e punishte.

Pandi Gjata: Pse ne e njohim kaq pak Komanin dhe kush është ndryshim i tij me vendbanime të tilla si Butrinti apo Apolonia?

Etleva Nallbani: Arkeologjia mesjetare vuan në të gjithë botën, vonë ka nisur trajtimi mirëfilltë arkeologji. Mesjeta është konsideruar më shumë për tekstet, pikërisht këto shekuj përbëjnë një rëndësi të madhe pasi janë shekujt e parë të mesjetës dhe tekstet mungojnë. Komani njihet pak, pasi nuk është gërmuar shumë. Gërmimet në Koman kanë nisur rreth viteve 1850, ndër kërkimet e fundit para misionit tonë kanë qenë ato të viteve 1980-83. Prej 7 vitesh Komani gërmohet sistematikisht çdo verë. Komani njihet shumë për historianët, pikërisht për historinë që prezanton, ndërsa për publikun nuk njihet aq sa duhet, pasi nuk kanë përfunduar kërkimet.

Pandi Gjata: Biseda jonë, por edhe misioni juaj publik së bashku me kolegë të tjerë është për shkak të projektit ku do të kalojë linja e tensionit të lartë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas reagimit të Ministrisë së Kulturës flitet për një zonë të ndarë në atë A dhe B. A jeni ju në dijeni të kësaj çështjeje dhe si funksionojnë këto dy zona? Çfarë lejohet të ndërtohet në to?

Etleva Nallbani: Linja e interkonjeksionit fillon nga Kosova dhe përfundon në jug të Shqipërisë. Ne nuk kërkojmë që kjo linjë të mos ndërtohet. Ne diskutojmë që të zhvendoset një segment i kësaj linje, në mënyrë që vendbanimi të mos dëmtohet nga ky segment. Një procedurë e tillë ndiqet në të tërë botën. Për sa i përket zonifikimit problemi është i tillë: Zonifikimi nuk ka ekzistuar, Komani është shpallur në mbrojtje nga shteti shqiptar në vitin 1963, pikërisht si rezultat i kërkimeve të Hënë Spahiut në 1961 dhe është konsideruar i mbrojtur nekropoli i Komanit dhe e ashtuquajtura “Kala e Dalmacës”, por që nuk ka kala, por dy kisha në majën më të lartë. Si rezultat i gërmimeve të reja, prej 7 vitesh, ne kemi propozuar një zonifikim të ri, në mënyrë që të mos ketë ndërtime të tilla.      

Pandi Gjata: Cfarë rreziku ka ky vendbanim i hershëm nga kalimi i linjës së tensionit të lartë?

Etleva Nallbani: Për mua ligji nuk është i drejtë për përcaktimin se çdo të thotë zona A apo zona B, pasi një vendbanim ose do ta ruash ose do ta shkatërrosh. Në zonifikimin që ne kemi bërë në bazën e këtyre rregullave, ku në zonën A thuhet se nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, ndërsa në zonën B lejohet, por nën mbikëqyrjen e arkeologëve. Në kuadrin e kësaj logjike propozuam këtë zonifikim, domethënë në zonën B, e cila përkon me fshatin aktual, por dhe me lagje antike. Dhe pretekstet që nxirren se pse nuk e kemi bërë të gjithë zonë A janë të gabuara, pasi edhe në qoftë se ne do ta bënim të gjithë zonë A, KKA-ja do ta jepte lejen, pasi do të thoshte që është infrastrukturë.

Pandi Gjata: Leje ka dhënë edhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i cili ka në përbërje shumë emra të njohur të arkeologjisë. Si e shpjegoni këtë fakt?


Etleva Nallbani:
Në mbledhjen që është marrë ky vendim nuk kanë qenë 4 nga arkeologët, të cilët i vlerësoj, ndërkohë që asnjëri prej anëtarëve të tjerë nuk kanë qenë një herë në Koman.

Pandi Gjata: Në një prononcim për mediat, Ministria e Kulturës thotë se, “hapja e një traseje të re nga ajo ekzistuese do të ishte më e rrezikshme dhe do të kishte edhe një kosto më të lartë”…

Etleva Nallbani: Kjo çështje nuk ka kundërargumente. Kur diskutohet një problem merren të gjitha palët. Ministria e Kulturës nuk e di sa kushton rruga dhe sa kushton traseja. Ne po kërkojmë ndërrimin vetëm të një segmenti të trasesë.

Pandi Gjata: Nëse qeveria nuk do të ndryshojë projektin për këtë zonë, deri ku do të shkojë nisma juaj?

Etleva Nallbani: Projekti do të ndryshojë sepse nuk mund të shkatërrohet Komani për një linjë të tensionit të lartë.

Pandi Gjata: Keni kërkuar takim me Kryeministrin. Deri ku do të shkojnë nismat tuaja?

Etleva Nallbani: E kemi njoftuar Kryeministrin. Do të lajmërojmë UNESCO-n, do të lajmërojmë bankën që investon në këtë projekt. Ne do t’i kalojmë të gjitha hallkat e duhura. Nuk mund të prishet një trashëgimi historike qindra mijëra vjeçare për një linjë, disa shtylla. Kjo linjë nuk do të kalojë në Koman, është e tmerrshme të kalojë në Koman.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA