Syriza, Tsipras: Poshtërimi i Greqisë do marrë fund

23/01/2015 00:00

Lideri i partisë greke të ekstremit të majtë, Syriza, deklaroi në një miting se fundi i “poshtërimit kombëtar” të Greqisë është afër.

Alexis Tsipras u kërkoi mbështetësve të tij votat për një mandat të pastër, për t’i dhënë atij mundësinë që t’u japë fund politikave anti-krizë të Greqisë.

Ai e përsëriti premtimin e tij se do të anulojë gjysmën e borxhit të vendit kur marrëveshja aktuale e ndihmës të përfundojë. Greqia ka përjetuar shkurtime të thella në buxhet për motive të lidhura me ndihmën e madhe nga ndërkombëtarët.

Zgjedhjet e së dielës po ndiqen nga afër nga tregjet financiare, të cilat druhen se një fitore e Syrizës mund ta çojë vendin në një falimentim dhe për rrjedhojë të dalë nga euro.

“Ditën e hënë, poshtërimi kombëtar do të marrë fund. Do të marrin fund urdhërat që vijnë nga jashtë. Ne po kërkojmë shansin e parë për Syrizën, që mund të jetë dhe shansi i fundit për Greqinë”, deklaroi Tsipras.

Korrespondenti i BBC Mark Lowen deklaron se shumë grekë janë të përgatitur t’i japin Tsipras një shansë, me mendimin se situata në të cilën ndodhet Greqia më keq nuk ka ku të shkojë.

Greqia ka përjetuar një reçesion të thellë në vitet e fundit dhe aktualisht ka ende çerekun e krahut të punës të papunë. Gjithësesi, në vend ka pasur paralajmërime se një fitore e Syrizës mund të çojë në një përballje të rrezikshme me vendet e tjera të eurozonës.

Sipas sondazheve, Syriza pritet të fitojë por jo me një mazhorancë absolute dhe analistët thonë se kjo parti mund të luftojë për të gjetur një partner koalicioni. Tsipras disa herë ka deklaruar se nuk do të qeverisë me ata që mbështesin ato që ai i quajti politikat e kancelares gjermane Angela Merkel.

Top Channel