Sulme ajrore pranë Damaskut, mbi 40 të vrarë, mes tyre edhe fëmijë

23/01/2015 00:00

Më shumë se 40 persona janë vrarë ditën e premte pranë Damaskut nga sulmet ajrore të avionëve të forcave qeveritare.

Lajmi është bërë i ditur nga Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilit avionët luftarakë kanë goditur një zonë të mbajtur nën kontroll nga rebelët.

Zyrtarët e qeverisë siriane ende nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në lidhje me sulmet e raportuara në Hamoria, një lagje e cila ka qenë prej ditësh e rrethuar nga forcat e sigurisë.

Sipas Observatorit sirian, në atë që ai e cilësoi si një masakër, më shumë se 42 persona kanë mbetur të vdekur, mes të cilëve edhe 6 fëmijë. Në një video të postuar në “YouTube” tregohen trupat e masakruar.

Përfaqësues të opozitës siriane kanë thënë se njerëzit janë vrarë në një shesh publik, menjëherë pasi ata kishin dalë nga një xhami pas lutjeve të së premtes. Forcat ajrore të Sirisë po zhvillojnë sulme gati çdo ditë në luftën civile, e cila filloi që pas protestave të 2011-ës.

Ditën e martë, 43 persona mbetën të vdekur në një treg, si pasojë e sulmeve nga ajri, në një tjetër zonë të kontrolluar nga rebelët.

Bisedimet për paqe mes qeverisë siriane dhe përfaqësuesve të opozitës mund të nisin javën e ardhshme në Moskë. Ministri i Jashtë i Rusisë ka thënë se shpreson në gjetjen e një zgjidhje mes palëve. Por gjetja e gjuhës së përbashkët duket e vështirë, pasi disa prej personave më me ndikim të opozitës nuk do të marrin pjesë në proces, duke qenë se aty nuk parashikohet largimi i Presidentit sirian, Bashar al-Asad.

Top Channel