Netanyahu do të flasë para Kongresit në mars, por nuk takon Obamën

23/01/2015 00:00

Vendimi i Benjamin Netanyahut për të pranuar ftesën për t’iu adresuar Kongresit amerikan vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, i ofron atij një publicitet të paçmuar përpara votimit, por mundet gjithashtu edhe të trondisë balancat e marrëdhënieve SHBA-Izrael.

John Boehner, kreu republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, e dërgoi ftesën pa u konsultuar me Shtëpinë e Bardhë, një thyerje protokolli kjo, për shkak se normalisht është e drejtë e kreut të shtetit për të ftuar një udhëheqës të huaj.

Gjithashtu kuptohet se edhe Netanyahu, një politikan i krahut të djathtë i cili ka një marrëdhënie “gjaknxehëse” me Barack Obamën, nuk e ka njoftuar Presidentin mbi ekzistencën e kësaj ftese përpara se ta pranonte atë, duke nënvizuar kështu tensionet gjithnjë e në rritje mes tyre.

 Përfundimi është se Netanyahu do t’i adresohet një sesioni të përbashkët të Kongresit (Senat dhe Dhomë) më 3 mars – një nder që e përfiton për herë të tretë – por nuk do të takohet me Presidentin Obama. Ai do të marrë pjesë gjithashtu në një konferencën politike të AIPAC, lobit influencues proizraelit, një detyrim për çdo udhëheqës izraelit.

Nga këndvështrimi i Netanyahut, ai arrin kështu disa objektiva, duke parakaluar me staturën e tij përpara duartrokitjeve të Kongresit të udhëhequr prej republikanëve, vetëm 2 javë përpara se sa Izraeli t’u drejtohet kutive të votimit më 17 mars.

Edhe pse kjo mund të mos lëkundë votuesit e pavendosur, shërben si një shfaqje e duhur për të mbledhur edhe më të vendosur në krah të tij mbështetësit e Netanyahut, forca politike e të cilit është kokë më kokë me rivalët e qendrës së majtë në shumicën e sondazheve. Fjalimi do t’i shërbejë gjithashtu kryeministrit izraelit edhe një mundësi për të mbrojtur një linjë më të ashpër kundër Iranit, si dhe për të shfaqur kredencialet e tij përpara një audience që e percepton atë si një njeri agresiv ndaj sigurisë globale, një mesazh që qarkullon bindshëm në vendin hebre.

Duke shtuar këtu edhe mundësinë për të ngrohur edhe më tej marrëdhëniet e ngushta me republikanët përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në SHBA, si dhe bonusin që do të marrë nga takimi me AIPAC, ky duket se është një udhëtim tepër i vlefshëm.

Madje edhe fakti që nuk do të takohet me Obamën mund të rezultojë në favor të tij. Për shkak se Presidenti amerikan është disi mospërfillës, gjë që ka bërë që gjatë takimeve të mëparshme të ftohta mes tyre Netanyahu të dukej si i vështirë apo si palë mbrojtëse, kur kanë mbetur më pak se 2 vjet nga Presidenca Obama, Netanyahu duket i prirur drejt afrimit me të.

Ndërsa i besuari i tij, ministri i Mbrojtjes Moshe Yaalon, tha gjatë muajit të kaluar se “kjo administratë amerikane nuk do të jetë përgjithmonë në pushtet”, duke sugjeruar se udhëheqësi izraelit ka hedhur fokusin drejt Presidentit të ardhshëm – me shumë mundësi republikan – për të ngrohur marrëdhëniet.

Top Channel