KS i OKB dënon sulmin ndaj autobusit në Donetsk

23/01/2015 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi sulmin e së enjtes ndaj një autobusi, i cili i mori jetën 15 personave dhe kërkoi nisjen e hetimeve të menjëhershme mbi sulmin.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit dënojnë fuqishëm vrasjen e të paktën 15 personave dhe plagosjen më shumë se 20 civilëve, në mesin e tyre gra dhe fëmijë, si pasojë e sulmit me mortaja”, shkruhej në deklaratën e lëshuar nga KS i OKB.

Gjithashtu Këshilli theksonte nevojën e nisjes e një hetimi objektiv për të vendosur para drejtësisë autorët.

Sipas zyrtarëve lokalë të qytetit lindor ukrainas, të kontrolluar nga rebelët pro-rusë, viktimat përfshijnë pasagjerë të autobusit dhe persona që udhëtonin në një makinë të vogël pranë tij.

Incidenti vjen pak pas apeleve të përbashkëta të Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë për fundin e luftimeve. Por shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, këmbëngul se është Kievi, ai që duhet të tërheqë armatimet e rënda nga zonat e konfliktit përpara se të mendohet për rezultate nga bisedimet e paqes.

Ndërkohë, gjatë ditës së enjte, komandanti më i lartë i NATO-s, Philip Breedlove tha se NATO ka pikasur shenja të përfshirjes gjithnjë e në rritje të Rusisë në luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Mbi 4.800 vetë janë vrarë dhe 1,2 milionë janë shpërngulur që kur separatistët mbështetës të Moskës morën nën kontroll pjesë të tëra të rajoneve të Donjeckut e Luhanskut në muajin prill. Lëvizja rebele pasoi aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Rusia në muajin mars.

Top Channel