Ekspertët gjermanë kundër vendimit të BQE: Ndikuan Franca dhe Italia

23/01/2015 00:00

Me paketën gjigante të stimujve të Bankës Qendrore Europiane nuk janë dakord të gjithë. Ekspertë të tillë, si gjermani Rolf Wenkel, mendojnë se veprimi i Mario Draghit është i nxituar dhe se “fisheku” i kreut të BQE-së nuk do të qëllojë në shenjë.

Përkundrazi – thotë ai i cituar nga “Deutsche Welle”, – një lëvizje e tillë mund të dëmtojë reputacionin e institutcionit të rëndësishëm financiar.

Me angazhimin për të injektuar të paktën 1,1 trilionë euro në ekonominë e sëmurë europiane, BQE-ja i hap portat e parave më shumë se sa mendonin ekspertët. Me këtë, Draghi luajti kartën e fundit, edhe pse – sipas Wenkel – nuk kishte nevojë.

Mario Draghi po imiton eksperimentin e Rezervës Federale në Amerikë, e cila pas krizës financiare, jo vetëm që uli interesat orientuese bankare, por bleu muaj pas muaji hua në shuma disamiliardëshe. Në këtë mënyrë, ai kërkon t’i inkurajojë bankat t’i japin më shumë kredi ekonomisë, që ajo të investojë e të krijojë vende pune.

Në të njëjtën kohë po përpiqet të largojë edhe fantazmën e deflacionit, një spirale e supozuar e çmimeve dhe pagave që ulen, si dhe e falimentimeve e të papunëve që shtohen. Por ekonomia e eurozonës, siç vëren Wenkel, është ndërkohë në rrugën e përmirësimit, dhe në planin afatmesëm shanset e ripërtëritjes janë shtuar ndjeshëm, nga ulja e çmimit të naftës që vepron si një injeksion gjallërues për konsumin privat.

Sipas ekspertit, Draghi nuk kishte arsye konkrete për të bërë tani një veprim të tillë, por e ka hedhur këtë hap i shtyrë nga italianët dhe francezët, që duan të blejnë kohë, sepse ende druhen nga strukturat e nevojshme, ose nuk janë në gjendje t’i zbatojnë ato në vendet e tyre.

Nga ana tjetër, lëvizjen e Draghit e kritikoi edhe George Soros. Investitori miliarder mendon se ajo do të ketë një jehonë serioze politike dhe do të rrisë pabarazinë mes të pasurve e të varfërve, si në nivel individësh, ashtu dhe në nivel shtetesh.

Top Channel