Zgjedhjet në Greqi, beteja mes Demokracisë se Re dhe radikalëve të SYRIZA-s

22/01/2015 00:00

Më pak se 100 orë kanë mbetur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare që konsiderohen si më të rëndësishmet jo vetëm për Greqinë, por edhe për Europën. Për sfidat që presin radikalët e majtë nëse ata do të vijnë në fuqi sipas parashikimeve dhe për përpjekjet që po bëjnë konservatorët që të rikthehen në qeveri, folën eksluzivisht për Top Channel dy prej deputetëve më në zë të këtyre dy forcave politike në Selanik që do japin betejën përfundimtare ditën e dielë.

Ioannis Amanatidis, deputet i SYRIZA, shprehet: “Kemi një plan zhvillimi. Këtë plan do ta propozojmë edhe tek partnerët tanë europianë në mënyrë që të ndalojë ekzistenca e memorandumeve të ndihmës dhe të shkojmë në një zgjdhje tjetër të krizës. Masat e planifikuara për zhvillimin e ekonomisë janë ato që do të na lejojnë edhe për reduktimin e papunësisë dhe ndalimin e krizës humanitare.”

Ndërsa Kostas Gioulekas, deputet i Demokracisë së Re, thotë: “Në një krizë, ato që llogarit janë dëmet. Pra, statistikat që përmendet për papunësinë e lartë janë për fat të keq pasojat e kësaj krize. Për fat të mirë, atë për të cilën flisnim para dy vjet e gjysmë, nëse Greqia do të falimentojë apo jo, nëse ajo do të dalë apo jo nga eurozona, tashmë nuk ekziston më në vendin tonë.”

Dy kandidatët për deputetë të dy partive rivale për pushtet janë pozicionuar edhe për çështjet e pensioneve të minoritarëve dhe të komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Amanatidis shpjegon: “Rifillimi i pensioneve të minoritarëve është më e pakta që ne do të bëjmë. Kësaj grupmoshe u është ndërprerë edhe sigurimi shëndetësor dhe për një muaj nuk do të kenë mundësi të vizitohen tek mjeku. Kemi bërë qysh tani kërkesë tek organet përkatëse në mënyrë që të rinovohen librezat e tyre shëndetësore.”

Nga ana e tij, Gioulekas argumenton kështu: “Është një preferencë kryesore dhe jemi disa deputetë që vazhdimisht ngremë zërin në parlament, tek kryeministri, tek ministrat, tek Enti i Sigurimeve Agrare, që të jepen përsëri domosdoshmërisht këto pensione. Nuk është vetëm çështje ekonomike, është çështje kombëtare. Për emigrantët duhet të sqarojmë diçka. Greqia është sjellë ndaj shqiptarëve ashtu siç është sjellë ndaj vetë qytetarëve grekë. Por, ndërsa ekzistojnë disa organizma europiane, Greqia nuk mund të veprojë me iniciativën e saj dhe të ushtrojë një politikë jashtë kuadrit të politikës europiane.”

“Përballojmë shumë probleme, sidomos me fëmijët që kanë lindur këtu dhe jetojnë këtu për 20-25 vjet pa marrë ende nënshtetësinë. Gjithë ky lëmsh ligjor do të rishqyrtohet në kuadrin e propozimeve dhe vendimeve që kemi dhënë në parlament”, shton Amanatidis.

Lufta elektorale është ende e hapur dhe fjalën e fundit e kanë vetë grekët për të vendosur me votën e tyre nëse duan vazhdimin e reformave të dhimbshme apo një ndryshim politik dhe ekonomik.

Top Channel