Maqedoni, Thaçi nxit për më shumë bashkëpunim përfaqësuesit shqiptarë

22/01/2015 00:00

Zv.kryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar politikanët shqiptarë të Maqedonisë të bashkëpunojnë mes tyre për të forcuar pozicionin e shqiptarëve në këtë vend. Kryediplomati kosovar ka thënë se çelësi i suksesit politik të shqiptarëve në Maqedoni është bashkëpunimi mes forcave të tyre politike.

“Unë takova sot studentë dhe njerëz nga bota akademike e shoqëria civile, të cilët pyesnin për qëndrimin antishqiptar të institucioneve të Shkupit në raport me shqiptarët. Nuk do dëshiroja të thoja që është një qëndrim antishqiptar dhe të konkludoja se, çdokush që mban qëndrim kundër shqiptarëve në Maqedoni është duke mbajtur një qëndrim antievropian, anti-NATO dhe kundër vlerave dhe besimit euroatlantik. Sido që të jetë, mua më mban shpresa dhe besimi se lidershipi dhe partitë politike shqiptare në Maqedoni, konkretisht z. Thaçi dhe z. Ahmeti, me urtësinë e mençurinë e tyre, me largpamësinë e vendosmërinë e tyre, do të gjejnë gjuhën e përbashkët, që të arrijnë mirëkuptimin e domosdoshëm, që kërkohet edhe nga qytetarët. Dhe natyrisht që t’i përfaqësojnë në Parlament me një shumicë të merituar dhe të fuqishme”, tha Hashim Thaçi, ministër i Jashtëm i Kosovës.

Këto komente, Thaçi i bëri pas takimeve të ndara që pati në Tetovë, me liderët e dy partive shqiptare në Maqedoni. Kreu i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi, tha se diplomatin kosovar e ka njoftuar për diskriminimin e vazhdueshëm të qeverisë së Shkupit ndaj shqiptarëve dhe për ngecjen e procesit integrues të vendit.

“Pranova sugjerimet e ministrit të Jashtëm në të njëjtën kohë, që format e bashkëpunimit mes dy forcave kryesore politike shqiptare duhet të rriten, të përshpejtohen dhe të fuqizohen më tepër. E informova për situatën e pashpresë momentalisht në Maqedoni, për bllokimin e procesit integrues, në anën tjetër për një diskriminim ekonomik të programuar, që bën Qeveria e Maqedonisë ndaj shqiptarëve”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Para takimit me kreun e PDSH-së, ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi, vizitoi në spitalin e Tetovës edhe liderin e BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti, ku ai qëndron i shtruar që pas aksidentit të pësuar me makinë ditën e mërkurë. Me këtë rast, diplomati kosovar i uroi z. Ahmeti shërim të shpejtë dhe kthim në jetën politike.

Top Channel