AKU dhe ISHSH, kontrolle antiduhan në Durrës. Merren masa ndëshkimore

22/01/2015 00:00

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Inspektoriatin Shëndetësor Shtetëror, kanë ushtruar kontroll për zbatimin e ligjit antiduhan në lokalet e Durrësit.

Kontrollet kanë nisur në lokalet pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve në mbrëmje, atëherë kur orari zyrtar mbaron e nis duhanpirja. Kryeinspektori i ISHSH-së, Eltar Deda, që mori pjesë në aksionin e Durrësit, tha se kontrollet do të vazhdojnë dhe për çdo abuzues e shkelës të ligjit antiduhan do të merren masa ndëshkuese.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Afrim Bakaj, u shpreh se inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit do të ndjekin me rigorozitet zbatimin e ligjit antiduhan.

Nga kontrolli në këtë zonë të qytetit bregdetar u vendosën 4 gjoba, sipas shumave të përcaktuara në ligj, për 2 subjekte dhe 2 duhanpirës. Dy subjektet, përkatësisht një bar dhe një lloto sportive, u konstatuan në shkelje të ligjit dhe u gjobitën secili me 300 mijë lekë, ndërsa dy duhanpirësit në vlerën e 5 mijë lekëve secili.

Top Channel