Australi, shtypet revolta në kampet e refugjatëve

20/01/2015 00:00

Kryeministri i Australisë, Tony Abbott ka deklaruar se gardianët e vendosur në kampet e paraburgimit të refugjatëve në ishujt përreth vendit kanë shtypur një revoltë.

Bëhet fjalë për kampin e burgimit në ishullin Manus, në Papua Nju Guinea, ku gardianët hynë për të neutralizuar një bllokadë të ngritur nga azilkërkuesit, të cilët kishin nisur edhe një grevë urie.

Disa prej azilkërkuesve raportohet të jenë arrestuar në këtë operacion, që u finalizua pas një jave të mbushur me protesta. Ndërkohë, të tjerë vazhdojnë grevën e urisë.

Autoritetet në Australi i dërgojnë azilkërkuesit që tentojnë të arrijnë me varkë territorin e vendit në kampet e ngritura në PNG dhe në ishullin Naurus në Paqësor.

Politika e burgosjes së tyre është kritikuar ashpër nga aktivistët e grupeve të të drejtave të njeriut.

Lajmet që vijnë nga këto qendra janë të vështira për t’u verifikuar, pasi mediat nuk kanë akses në to dhe deklaratat e autoriteteve nga njëra anë dhe e avokatëve të azilkërkuesve nga ana tjetër nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Protestat e kampit të refugjatëve në ishullin Manus nisën javën e kaluar, ndërsa vetëm dy ditë më parë prej andej erdhën lajme se azilkërkuesit ishin vendosur si barrikadë për të penguar hyrjen e gardianëve.

Por këta të fundit, të pajisur me mjetet e posaçme, hynë në kamp të hënën pasdite duke i dhënë fund bllokadës.

“Ka pasur një protestë të mirëorganizuar dhe të mirëkoordinuar në disa zona të kampit në Manus, që synonin krijimin e një bllokade. E rëndësishme është se atje është vënë rendi dhe bllokadat janë hequr”, ka deklaruar kryeministri Abbott.

Top Channel