Gjermania nën alarmin e xhihadistëve, në shënjestër stacionet hekurudhore

18/01/2015 00:00

Teksa ankthi në Europë është rritur në vazhdën e sulmeve terroriste të përgjakshme në Paris dhe Belgjikë, edhe Gjermania është vënë nën alarm.

Gazeta “Der Spiegel” raporton se shërbimet e sigurisë në vend kanë arritur të gjurmojnë mesazhet e grupimeve xhihadiste në Gjermani.

Burimet tregojnë se shënjestra e sulmeve terroriste janë pikërisht stacionet hekurudhore, pasi ky është një lloj transporti shumë i përdorur nga njerëzit. Kjo ka bërë që autoritetet t’i blindojnë me forca të shumta policore trenat dhe metrotë.

E ndërsa shumica e vendeve në botë kanë zhvilluar parada sensibilizuese ndaj sulmit terrorist kundër “Charlie Hebdo”-së, Gjermania është përfshirë nga protesta me një kauzë më radikale.

Prej disa javësh, njerëzit dalin nëpër rrugë si pjesë e një lëvizjeje antimuslimane. Këta janë pjesëtarët e grupimit “PEGIDA”, të cilët thonë se toleranca ka marrë fund ndaj muslimanëve dhe emigrantëve në Gjermani. Prandaj, në shënjestër të terroristëve flitet të jenë edhe pjesëtarët e këtij grupimi, ku numërohen rreth 10 mijë njerëz.

Furia e fundit e sulmeve terroriste dhe kërcënimeve në Europë ka bërë që shumë njerëz të dyshojnë nëse ISIS do të ketë ndonjë objektiv të ardhshëm, e nëse po cili do të jetë ai.

Top Channel