Ndotja në Tetovë, banorët kërkojnë dorëheqjen e ministrit

17/01/2015 00:00

Ndotja e ajrit në Maqedoni ka arritur nivele alarmante. Shkupi dhe Tetova llogariten ndër qytetet më të ndotura në vend. Në këto qytete prania grimcave të dëmshme në ajër PM10 vazhdon të jetë mbi 10 herë më e lartë se norma e lejuar.

Banorët e Tetovës për situatën e rëndë e fajësojnë ministrin e Ambientit Nurhan Izairi, i cili nuk ka marrë masa për të mbyllur fabrikën e Jugohromit, që njihet si ndotësi më i madh i qytetit.

Qytetarë, aktivistë dhe intelektualë nga Tetova i kanë bërë thirrje Izairit të largohet nga posti nëse nuk mund të marrë një vendim në të mirë të popullatës. Ata, përmes një aksioni simbolik grumbulluan fonde për t’i dëshmuar Izairit se nuk do ta lënë pa pagë mujore edhe nëse dorëhiqet.

“Pasi vërejmë se ministri nuk ka fuqi të ndalë këtë helmim të Tetovës, atëherë ne, lëvizja “Eco Guerrilla”, atë nuk e njohim dhe nuk e pranojmë si ministër. Por e konsiderojmë si një të punësuar në atë ministri. Për t’i siguruar rrogën që ia ka qejfi, sot kemi marrë iniciativën të mbledhim një fond dhe kështu ta bindim atë të japë dorëheqjen”, deklaroi Arianit Xhaferi nga OJQ-ja “Eco Guerrila”.

“Nëse ka pak moral dhe ndërgjegje, ministri që ditën e parë të protestës dhe reagimet e qytetarëve të rajonit të Pollogut duhej të jepte dorëheqjen”, u shpreh më pas një qytetar.

Por ministri Izairi thotë se nuk ndjen aspak përgjegjësi për ndotjen dhe nuk mendon për dorëheqje. Ndërkohë, fabrika e Jugohromit, që nuk plotëson standardet ekologjike dhe llogaritet ndotësi më i madh i Tetovës, ditë më parë rriti kapacitetin e punës përmes vënies në funksion të një furre të re për shkrirje. Qytetarët e Tetovës përmes protestave kanë kërkuar disa herë mbylljen e kësaj fabrike.

Top Channel