Fund zhvillimit kaotik, Lame shpjegon projektin e qeverisë

16/01/2015 00:00

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegoi në një leksion të hapur për studentët e Universitetit të Durrësit skemën që po zbaton qeveria për të legalizuar objektet pa leje dhe planifikuar një zhvillim të qëndrueshëm urban, ndryshe nga ai i kaosit që ka shoqëruar Shqipërinë përgjatë këtyre viteve.

Duke iu referuar debatit të shumë viteve të shkuara, nëse duhet kryer më parë urbanizimi apo legalizimi, Lame tha se skema aktuale përbën një shkrirje të këtyre dy elementeve.

“Urbanizim në letër, pastaj legalizim. Që do të thotë: bëhen në letër më parë planet se si duhen legalizuar pronat, bëhet legalizimi i këtyre planeve dhe pastaj legalizimi në terren”, deklaroi Lame.

Lame tha se gjatë tetë viteve të fundit janë legalizuar vetëm 21 mijë objekte dhe nëse do të ecej me këtë ritëm, procesi do të kërkonte rreth 30 vjet.

Aktualisht numri i objekteve në listë pritjeje për legalizim është 280 mijë dhe vetëm me rihapjen e procesit të vetëdeklarimeve deri më 31 dhjetor janë shtuar edhe 82 mijë objekte të tjera. Por, sipas kreut të ALUIZNI-t, me ndryshimet e fundit ligjore dhe një qasje të re kundrejt procesit, ai do të përmbyllet më shpejt.

“Me këto hesape del që edhe ky universitet edhe ndërtesa e ALUIZNI-t do të ishin pa leje. Por, ka një parim që nëse dy njerëz bëjnë një kundravajtje, faji është i tyre. Ndërsa nëse këtë kundravajtje e bëjnë të gjithë, atëherë është faji i ligjit”, shtoi Lame.

Top Channel