Kryeministri spanjoll në Athinë përkrah Samaras, përshkallëzohet fushata

15/01/2015 00:00

Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga zgjedhjet e parakohshme në Greqi dhe sondazhet që zhvillohen pothuajse çdo ditë tregojnë se radikalët e majtë kryesojnë me të paktën 3 pikë më shumë se konservatoret, Kryeministri Andonis Samaras luan kartat e tij të fundit për të rifituar qeverisjen e vendit.

Përkrah tij kësaj here ka qenë homologu spanjoll Mariano Rajoy, i cili madje ka thyer etiken për të mos shprehur pikëpamjet personale në zgjedhjet e një vendi tjetër dhe ka mbështetur hapur liderin e konservatorëve grekë.

“Reformat që ka bërë Greqia dhe Spanja tashmë po japin fryte. Tani që ne po dalim nga kjo krizë kemi nevojë për stabilitet, jo për destabilitet. Kemi nevojë për siguri dhe besim, jo për pasiguri. Kemi nevojë për Europën”, tha Mariano Rajoy.

“Negocimet (me huadhënësit) zhvillohen brenda kuadrit të Europës dhe kornizës se euros. Në një kohë të vështirë Spanja na dha borxh 26 mld euro, kur ajo me të vërtetë kishte nevojë për to, në bazë të një marrëveshjeje që ne nënshkruam. Çfarë t’u themi tani atyre? I morëm paratë, por tani ne duam të ndryshojmë marrëveshjen?  Nuk funksionon kështu Europa”, deklaroi Samaras.

Edhe ministri gjerman i Financave ka deklaruar në mesditën e së mërkurës se cilado parti të fitojë zgjedhjet në Greqi duhet të vazhdojë politikat shtrënguese duke zbatuar marrëveshjet. Por siç komenton orët e fundit britanikja “The Guardian” “strategjia e frikës”, të cilën ndoqi qeveria “Samaras” e mbështetur nga disa qendra në Europe, duket se nuk jep më efekt te grekët, të cilët besojnë se politikat e ashpra nuk zgjidhin problemet e ekonomisë së vendit.

Ndërsa fushata elektorale në vend është në kulmin e saj dhe radikalët e majtë luftojnë tashmë jo vetëm për të ardhur në fuqi, por edhe për të pasur shumicën në parlament. Një lajm i mirë që qetësoi tregjet është vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të zgjatur edhe 6 muaj likuiditetin e bankave greke. Ky fakt ka fshirë përkohësisht zërat për një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona dhe ka ulur nivelin e riskut për bonot greke në tregun sekondar.

Top Channel