Miratimit të pakos së ligjeve për reforma në arsim nga deputetët i ka paraprirë një protestë e studentëve dhe profesorëve para Kuvendit. Për protestuesit, reformat e qeverisë në arsim janë antikushtetuese dhe shkelin autonominë e universiteteve.

“Do vazhdojmë më tej të bëjmë presione në çdo mënyrë të mundshme. Nëse nuk ia dalim në betejën institucionale, atëherë do të ndërmarrim masa të tjera siç është okupimi i hapësirave publike, organizimi protestave më masive dhe radikalizmi i tyre”, deklaroi studenti Bojan Makovski.

Por zëri i studentëve dhe profesorëve nuk është dëgjuar brenda Kuvendit. Deputetët e shumicës i kanë dhënë dritë jeshile shtatë ligjeve, që sipas ministrit të Arsimit, Abdilaqim Ademi kanë për qëllim reformimin e arsimit.

“Qëllimi kryesor i këtyre ligjeve është që të rrisim cilësinë në arsim në të gjitha nivelet dhe në fokus të këtyre ligjeve janë studentët dhe mësimdhënësit”, deklaroi Ademi.

Sjellja e pakos së ligjeve për reforma dëmton rënd arsimin shqip në Maqedoni. Ky është qëndrimi i PDSH-së opozitare. Kjo parti akuzoi ministrin Ademi se është vënë në shërbim të zbatimit të politikave të partisë maqedonase VMRO-DPMNE.

“Ademi si ministër i arsimit nuk e sjell abetaren e unifikuar për nxënësit shqiptarë, nuk i largon nga përdorimi tekstet ku ofendohen shqiptarët, nuk ka kapacitete ta ndryshojë as një emër të një shkolle, ndërsa Ademi me zell të madh po realizon projektet maqedonase, që janë në kundërshtim me interesin e shqiptarëve”, deklaroi deputeti Bekim Fazliu.

Kundër reformave të propozuara nga pushteti, studentët dhe profesorët kanë organizuar disa herë protesta muajin e kaluar. Por kjo formë e kundërshtimit nuk u tregua e suksesshme për të zmbrapsur qeverinë nga nisma e saj për  reforma rrënjësore në arsim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA